I arrestuari për fajde në Prishtinë, është i afërm i Enver Sekiraqës

I arrestuari për fajde në Prishtinë, është i afërm i Enver Sekiraqës

Kronika shkurt 12, 2019 - 16:46
Lexo tjera detaje

Policia e Kosovës, pas hetimeve disamujore, ka intervistuar sot A. E. nën dyshimin për fajde dhe pas intervistimit me vendim mbi ndalimin e lëshuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë i është caktuar ndalimi prej 48 orëve.

Burime të Gazetës Blic, brenda Policisë së Kosovës kanë pohuar se i arrestuari është Agron Emini i cili është i afërm i Enver Sekiraqës.

Emini banon në lagjen Vranjevc në Prishtinë.

Sipas njoftimit të Policisë, Emini ia ka dhënë rreth 20,000 euro një personi në cilësi të fajdesë, ndërsa më pas ai kishte kërkuar 40 mijë

Pas raportimit të rastit më datën 27.11.2018 në stacionin policor, rasti është vazhduar të hetohet nga Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit Prishtinë, me ç’rast është kuptuar se i dyshuari ia ka dhënë rreth 20,000 euro një personi në cilësi të fajdesë.

Ky i fundit është detyruar t’ia kthejë rreth 40 mijë euro, duke përfshirë edhe një veturë dhe një shtëpi, e cila i ‘është llogaritur’ si pjesë e borxhit në emër të fajdesë.

Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë ka marrë veprime ligjore konform urdhëresave të lëshuara nga gjykata kompetente, kundër të dyshuarit të rastit në fjalë, ku fillimisht i është bastisur shtëpia e banimit, me ç’rast gjatë bastisjes kanë hasur dokumentacion që ndërlidhet me rastin.

Dokumentacioni është sekuestruar përkohësisht, duke përfshirë edhe një laptop dhe telefoni personal i të dyshuarit, të cilat do të dërgohen për ekzaminim në Forenzikë.