Serbët festojnë me bomba e me portretin e Putinit

Kronika February 19, 2019 - 08:24
Lexo Detajet
Image

Serbët e veriut të Mitrovicës kanë kremtuar të ashtuquajturën “Sretenje” me flamujt të Serbisë, me portretin e Putinit, me bomba, me sulme fizike e me pankarta me dorën grusht e të ngritur gishtin e mesëm, shkruan gazeta "Zëri".

“Sretenje”, festë shtetërore e Serbisë, është kremtuar në veri të Mitrovicës me bomba, me flamuj serbë e me portretin e presidentit të Rusisë Vladimir Putin, si dhe me sulme fizike e me pankarta me dorën grusht e me gishtin e mesën të ngritur, ndërkaq shqiptarët e jugut për të njëmbëdhjetën herë kanë ka festuar Pavarësinë me këngë patriotike dhe me bori të veturave, me të cilat kanë depërtuar edhe nëpër disa rrugë të veriut të Mitrovicës.

LEXO EDHE: Qytetarët në “luftë” me qentë endacakë

Ka ndodhur që festa e serbëve të veriut, e ashtuquajtur “Sretenje”, dhe 17 Shkurti, dita kur Kosova shpalli pavarësinë, të bien afër njëra-tjetrës, kështu që serbët janë përkujdesur që në pjesën veriore të Mitrovicës të vendosur pothuajse në çdo skutë portretin e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin. Dhe në përpjekje për t’iu kundërvënë shqiptarëve, serbët e veriut gjithashtu kanë vendosur shumë pankarta me dorën grusht e me gishtin e mesëm të ngritur, në të cilin kanë shkruar “11 vjet okupim”. Në veri të Mitrovicës gjatë fundjavës, kur edhe është shënuar e ashtuquajtur “Sretenje” janë regjistruar  disa raste kriminale që kanë përcjellë gjithë festën e tyre. Zakonisht sulmet fizike në gjendje të dehur nëpër kafene me muzikën e Ceca Razhnjatoviq – Arkan kanë shënuar gjithë ditët e fundjavës, ndërkaq disa persona, gjithashtu në gjendje të dehur, kanë sulmuar një autobus të “Kolasin Prevoz”, duke thyer xhamat e pjesës së përparme.

Hidhet bombë në lokal

Rasti më i rëndë ka ndodhur të hënën në orët e hershme të mëngjesit kur është hedhur një bombë në një lokal të një boshnjaku në rrugën “Vojvoda Putnik”, në veri. Nga shpërthimi i fuqishëm janë thyer xhamat e lokalit, si dhe është dëmtuar një veturë “Seat Ibizi” që ndodhej e parkuar para lokalit. Mësohet se pronari i lokalit, që në fakt është objekt fituesi, është boshnjaku Seat Çeshko, i cili njëkohësisht është edhe polic i Kosovës. Policia e Kosovës në veri e ka konfirmuar rastin, duke dhënë edhe hollësi. Sipas zëvendësdrejtorit të Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës në veri, kapiten Besim Hoti, ngjarja ka ndodhur rreth orës 3 të mëngjesit, të hënën, kur ishte dëgjuar një shpërthim, që si pasojë ka dëmtimin e xhamave të lokalit, si dhe të një veture. Kapiten Hoti ka thënë se nuk ka të lënduar të këtij rasti, ndërsa ende nuk dihet për motivet e këtij rasti dhe për autorët.  Edhe shefi i Operativës në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës në veri, Zhelko Bojiq, ka konfirmuar për rastin dhe ka shtuar se Policia ka kryer shikimin e vendit të ngjarjes. “Shikimi i vendit të ngjarjes ka përfunduar, është konstatuar se bëhet fjalë për një lëndë plasëse që ka shpërthyer e që është hedhur nga persona deri më tani të panjohur. Fatbardhësisht të lënduar nuk ka pasur, ndërsa dëmet materiale janë të konsiderueshme. Prokurori e ka cilësuar rastin ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’ dhe Policia është duke punuar në identifikimin e autorëve të kësaj vepre”, ka thënë Bojiq.

Vjedhje në kishën e Suhadollit

Policia në veri të Mitrovicës ka njoftuar gjithashtu edhe për një vjedhje në kishën e Suhadollit, pjesën serbe të fshatit, në të cilën janë vjedhur 200 dinarë. Gjatë ditëve kur është festuar edhe në veri edhe në jug nuk është paraqitur fare Goran Rakiq, kryetar i dorëhequr i Mitrovicës së Veriut, i cili vitin që shkoi pikërisht për “Sretenje” ishte kërcënuar se do ta themelojë Asociacionin e Komunave Serbe, pasi ktë nuk e bënte Prishtina, ndërkaq homologu i tij nga jugu Agim Bahtiri, ka festuar 17 Shkurtin me banorët e fshatrave të Leposaviqit, Cerajë, Koshtovë e Vllaahisë dhe Bistricë. Ai nga atje ka dërguar mesazhin se 12-vjetori i Pavarësisë së Kosovës (vitin që vjen) do të kremtohet në Mitrovicën e bashkuar./Zeri/