Vajza e mitur nga Lipjani largohet nga shtëpia, prindërit po refuzojnë ta pranojnë

Vajza e mitur nga Lipjani largohet nga shtëpia, prindërit po refuzojnë ta pranojnë

Kronika mars 15, 2019 - 18:11
Lexoni detajet

Një 13-vjeçare nga Komuna e Lipjanit u zhduk të mërkurën për të dytën herë pasi që e njëjta kishte shkuar në vizitë në qytet me nënën e saj. Atë natë do të shkonte në shtëpinë e një djalit të mitur, me të cilin mendohet të ketë lidhje e një ditë më pas u gjet nga Policia e Kosovës. Prindërit ndërkaq nuk e pranuan nxënësen e klasës së tetë në shtëpi e tashmë ajo po strehohet në strehimore. Prokuroria në anën tjetër flet për kërcënimet që prindërit i kishin bërë vajzës pasi e kuptuan se ku kaloi natën. 

 13-vjeçarja A.K kishte dalë të mërkurën në Lipjan së bashku me nënën e saj F.K, por, nga qyteti të dyja nuk u kthyen së bashku në shtëpi.

 Derisa në orën 18:00, ato po prisnin transportin për të shkuar në fshatin Arkllap të Lipjanit nga ku jetojnë me familje, A.K u largua dhe nuk u kthye më.

 Sipas prokurorisë vajza e mitur ishte larguar nga nëna e saj dhe kishte shkuar te një djalë me të cilin dyshohet të ketë lidhje. Djali është i moshës së mitur, e me të vajza kaloi natën në shtëpinë e tij.

 Të nesërmen, e mitura shkoi vetë në polici, pasi që nëna e kishte raportuar vajzën të zhdukur, mirëpo, atëherë familja nuk e pranuan që të kthehej e kështu të njëjtën policia e strehuan në Qendrën Sociale të kësaj komune.

Të dy prindërit e 13-vjeçares A.K ishin sot gjatë ditës në shtëpinë e tyre në fshat.

 Vajza e tyre më e madhe ndërkaq, ende po vazhdonte të qëndronte në qytet nën për kujdesin e Qendrës Sociale.

Dy ditë më parë, pas një vizite që kishin pasur nëna dhe e mitura në Lipjan, vajza do të ikte dhe do të figuronte si e zhdukur deri të nesërmen në mëngjes.

Prindërit e saj L.K dhe F.K, po thonë se vajza që është në klasë të tetë atë ditë iu kishte ikur nga dora, ndërkaq, për të thonë se është me të meta, pasi që e njëjta ka sëmundje epileptike.

 “Policia e ka gjete me ni çikë me do shoqe të veta u shku te shoqet e kanë mashtru e kanë marrë të shpija. Në ora 6 u nda prej ktyne ka dal prej kombit, po dal deri qetu tha, u zatet me qato çika ato shoqet e kanë habit i ka ik autobusi. Çika ka bujt te shoqet”, thonë prindërit, duke pohuar se vajza kishte humbur edhe njëherë më parë.

 Megjithatë, prindërit po mohojnë se vajza mund të ketë qenë me ndonjë djalë, megjithëse sipas prokurorisë, arsyeja pse ajo nuk është kthyer në shtëpi është pasi që prindërit nuk deshën ta pranonin kur morën vesh se ku ishte.

Madje, sipas informacioneve, prindi kishte deklaruar para policisë “do ta vrasë me sakicë”, e për të njëjtën deklaratë babai po thotë se është vetëm keqkuptim i mediave.

Me të marrë vesh për atë natë, vetë nëna e saj, F.K kishte kërkuar nga policia që ta mbanin për një kohë.

 “Na kanë thanë te sociali që ju ke thanë policisë mos ma bini çikën se e prehu me sakicë. Gruaja i ka thënë mos e bini një javë ditë deri të qetësohet, më thanë po e qetësojmë tana e bimë. Sot është te mirëqenia sociale le të rrinë edhe pak ju kanë ba bajat shoqet”, shtojnë ata, duke vazhduar të insistojnë se vajza e tyre është me të meta.

“Unë skam mujt me u taku sun e shoh jam ba nervoz. Unë sot shkova po më thanë ta bijnë ata. Çika është e smutë shpesh ka kontrolla. Nuk po i njoh vajzat që e kanë marrë. Bashkë kemi qenë kur na ka dal prej kombit”, vazhdojnë, duke thënë se familja madje është e qetë dhe po pret që vajza të kthehet pasi që ajo të qetësohet.

 Nga Qendra Strehimore në Lipjan nga ku vajza është duke qëndruar momentalisht janë deklaruar se e mitura do të vazhdojë të qëndrojë aty dhe për të njëjtën janë duke u përkujdesur.

 Të njëjtët kanë thënë se te A.K nuk janë vërejtur shenja të dhunës, ndërkaq, shtojnë se ata do të vendosin se kur do të kthehet në familje.

Versioni i Prokurorisë e Policisë

Policia e Kosovës mori lajmin për vajzën e mitur të mërkurën, ndërkaq, të enjten rreth orës 12:00, siç kanë deklaruar për Express e njëjta është gjetur.

 “Ankuesja femër K-Shqiptare ka raportuar se përderisa ishte me vajzën e saj viktimën femër K-Shqiptare e moshës së mitur me aftësi të kufizuara është larguar nga ajo dhe nuk dihet asgjë për vendndodhjen e saj”.

 Në anën tjetër, në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, kryeprokurori Imer Beka i ka thënë Expressit se familjarët të mllefosur nuk e kanë pranuar atë në shtëpi.

“Ka shku ka qëndru një natë te një djalë i mitur, tash momentalisht është në strehimore. Policia nuk e kanë lejuar të kthehet në familje sepse si duket i mllefosur pak baba”, tha Beka, duke shtuar se e njëjta kishte shkuar me dëshirë te djali.

“Ajo para policisë ka deklaruar se ka shkuar me dëshirë te djali, policia se kanë lejuar me u kthy”, pohon duke deklaruar se momentalisht është duke qëndruar në strehimore sepse prindërit ishin treguar agresivë, e aty do të kthehet vetëm kur t’i rregullon raportet me ta.

Për personin tjetër ndërkaq nuk është marrë masë pasi që edhe ai është i mitur, megjithëse prokuroria kishte filluar procedurat.

Ndryshe, një muaj më parë Express kishte raportuar për një 16-vjeçare nga fshati Nikaj i Kaçanikut që kishte ikur nga shtëpia.

Edhe pas një jave kërkim e njëjta nuk kishte pranuar të kthehej në shtëpi, ndërkaq kishte zgjedhur të qëndrojë në Strehimore.