Raport hetimor për policët që arrestuan Gjuriqin, rasti i kalon prokurorisë

Raport hetimor për policët që arrestuan Gjuriqin, rasti i kalon prokurorisë

Kronika March 24, 2019 - 17:25
Lexoni detajet

Gati një vit kanë kaluar që nga arrestimi në Mitrovicë të Veriut të drejtorit të të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

26 marsi i vitit që lamë pas, do të sillte një valë të re të tensionesh mes Prishtinës dhe Beogradit, shkruan lajmi.net.

Gjuriq, që hyri në territorin e vendit pa lejen e autoriteteve shtetërore, do të arrestohej e më pas depërtohej në Serbi nën përcjelljen e Policisë.

Në aksionin e arrestimit të tij morën pjesë pjesëtarët e Njësisë Speciale të Kosovës, të njohur me emrin “Rosu”.

Këta të fundit më pas do të ishin pjesë e hetimeve të nisura nga Inspektorati Policor i Kosovës, pikërisht në lidhje me arrestimin e Marko Gjuriq.

Por çfarë ka ndodhur një vit më pas?

Drejtësia në Kosovë po mirret ende me disa pjesëtarë të “Rosu” që arrestuan Marko Gjuriqin.

Në një përgjigje për lajmi.net nga Inspektorati Policor i Kosovës, është bërë e ditur se pas veprimeve hetimore, IPK-ja ka dërguar një raport me të gjeturat në Prokurorinë e Mitrovicës.

Që nga ky moment, rasti i është lënë në dorë  pikërisht këtij institucioni të drejtësisë.

“…lidhur me këtë rast hetuesit e IPK-së, pas ndërmarrjes së disa veprimeve hetimore, me kërkesë tëProkurorit të Prokurorisë Themelore të Mitrovicës kanë dorezuar raportin informues lidhur me të gjeturat e hetimit”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.

Për këtë çështje lajmi.net ka kontaktuar edhe me Prokurorinë Themelore të Mitrovicës.

Në një përgjigje për lajmi.net nga kjo Prokurori e kanë konfirmuar se kanë pranuar një raport njoftues nga Inspektorati Policor, teksa kanë thënë se lënda është në përpunim.

“E konfirmojmë pranimin e raportin njoftues nga Inspektorati Policor i Kosovës në lidhje me këtë çështje”, kanë thënë nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës.

“Lënda është në punë, dhe në këtë fazë nuk mund të japim të dhëna tjera”, thuhet tutje në përgjigje.

Kujtojmë se arrestimi në Kosovë i Marko Gjuriqit do të kishte rrjedhojë daljen e Listës Serbe nga Qeveria Haradinaj.

Në Serbi, aksioni i “Rosu” ishte parë si kërcënim dhe provokim i jashtëzakonshëm i Prishtinës, teksa presidenti serbë duke mos u mjaftuar me këtë kishte mbledhur edhe Këshillin e Sigurisë.

Gjuriq, që në disa deklarata të mëhershme televizive deklaronte se në Kosovë kishte hyrë dhjetëra herë pa leje, pas arrestimit që i ndodhi, nuk e bëri më një gjë të tillë.