Kthimi në rigjykim i rastit të Pjetër Nrecaj, reagon ashpër Rrjeti i Grupit të Grave

Kthimi në rigjykim i rastit të Pjetër Nrecaj, reagon ashpër Rrjeti i Grupit të Grave

Kronika qershor 24, 2019 - 15:17
Detajet

Gjykata Supreme ka marrë vendim që rasti i Pjetër Nrecajt, i cili ka privuar nga jeta bashkëshorten dhe vajzën e tij, të kthehet në rigjykim. Për këtë ka reaguar Rrjeti i Grave të Kosovës, duke thënë se e kundërshton këtë vendim të gjykatës

RrGk’ja thotë se Nrecaj e kishte bërë vrasjen me paramendim dhe se vendimi i Gjykatës Supreme për ta kthyer në rigjykim rastin është i padrejtë.

“Pjetër Nrecaj me paramendim, kishte privuar nga jeta me armë zjarri bashkëshorten e tij Valbona Marku-Nrecaj, si dhe vajzën e tyre. Madje, ai para se të realizonte vrasjen e paramenduar, kishte dërguar porosi telefonike kërcënuese ndaj tashmë të ndjerës, pas së cilave edhe kishte realizuar planin për ta vrarë atë. Ndaj të njëjtit, ishte shqiptuar edhe padia për mbajtje në pronësi, kontroll, dhe posedim të paautorizuar të armëve. Në momentin e ngjarjes, sipas dëshmitarëve, të pranishëm ishin edhe fëmijët tjerë të çiftit, të cilët po ashtu kanë mundur të pësojnë nga gjuajtjet e Pjetër Nrecajt. Për këto vepra, Gjykata e Apelit me të drejtë e dënoi atë me burgim të përjetshëm”, thuhet në reagimin e RrGK’së.

Tutje në reagim thuhet se rikthimi në gjykim i rastit Nrecaj ndikon në humbjen e besimit në sistemin e drejtësisë për viktimat potenciale të dhunës në familje.  

“RrGK konsideron se kthimi në rigjykim për këto vepra ndikon drejtpërsëdrejti në humbjen e besimit në sistemin e drejtësisë për viktimat potenciale të dhunës në familje dhe familjarët e tyre. Dënimi i vrasësve, e veçanërisht i atyre që ligjërisht njihen si ushtrues recividist të dhunës në familje, siç është rasti i Pjetër Nrecaj (ju rikujtojmë që i njëjti ka mbajtur paraburgim pasi që në prani të fëmijëve kishte ushtruar dhunë në familje ndaj tashmë të ndjerës) tregon se sistemi i drejtësisë mbron viktimat e dhunës në familje dhe se vrasja si pasojë e kësaj lloj dhune nuk tolerohet”, theksohet në reagim.

Pjetër Nrecaj në gushtin e vitit 2018 ka vrarë bashkëshorten dhe vajzën e tij. Ndaj tij në fillim ishte caktuar masa e burgimit prej 24 vjetësh, mirëpo pas protestave dhe reagimeve të shumta, Gjykata kishte marrë vendimin që Nrecaj të dënohet me burgim të përjetshëm.