Mentor Maqani i Grupit të Currit i sëmurë, paraburgimin po e 'vuan' në QKUK

Mentor Maqani i Grupit të Currit i sëmurë, paraburgimin po e 'vuan' në QKUK

Kronika June 24, 2019 - 17:43
Lexo Detajet

Njëri nga të arrestuarit e grupit ‘Curri’, Mentor Maqani nuk është duke qëndruar në Qendrën e Paraburgimit. Ai është shtrirë në QKUK pas disa problemeve shëndetësore që i janë shfaqur derisa po qëndronte në paraburgim. Prokuroria po e kërkon rikthimin e tij në qeli. Ndërkohë organet e hetuesisë kanë kërkuar nga QKUK raport për gjendjen e tij shëndetësore. Meqani bashkë me disa persona të tjerë po akuzohen për fajde dhe mashtrim.

Në fund të muajit maj, policia e Kosovës zhvilloi një operacion të cilin e emëroi  ‘Dallga’. Operacioni u udhëhoq nga njësiti i Policisë së Krimeve Ekonomike ku rezultoi me arrestimin e 5 personave, në mesin e tyre ishte edhe i mistershmi Ismet Osmani, i njohur ndryshe si Curri, Ilir Bojku, i njohur ndryshe si Gorilla, Adil Thaçi, Mentor Maqani e Rrahim Hashimi. Të gjithë këta persona po dyshohet se kanë përfituar miliona përmes fajdesë, detyrimit dhe mashtrimi që nga viti 2012.

Këta pesë persona u arrestuan, por jo të gjithë ndodhen në paraburgim. Njëri nga ta, Mentor Maqani, po qëndron tash e gati dy javë në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës. Atij, gjykata, njëjtë si katër të tjerëve ua kishte shqiptuar masën e paraburgimit prej një muaji.

Por, sipas avokatit të Maqanit, klientit të tij, në qendrën e paraburgimit i është përkeqësuar gjendja shëndetësore. Kështu ai , njëjtë sikurse shumë të burgosur të tjerë, Maqani u shtri për kurim në QKUK.

Por, problemet e tij shëndetësore, po del të lidhen me mbipeshën e tij. Ai peshon shumë dhe si pasojë e kësaj, Maqanit i janë shfaqur probleme shëndetësore të cilat lidhen kryesisht me tension dhe diabet.

Detaje për shëndetin e Maqanit, ka dhënë të dielën për Express, avokati i tij, Naim Rudari. Ai ka thënë se Maqanit i është rekomanduar një person përcjellës për shkak të gjendjes së tij, jo të mirë.

Avokati Rudari thotë se për këtë shkak Maqani po vazhdon të qëndrojë në klinikë dhe jo në qendrën e paraburgimit.

“Gjendja e tij shëndetësore ende nuk është e mirë. Qendra ka lëshuar një vendim që të kthehet  prapë në qendër të paraburgimit, por ka potencuar se duhet të jetë një përcjellës i tij dhe kanë anuluar prapë ose e kanë dërguar në një tjetër klinikë nëse nuk gaboj” , ka sqaruar për gazetën avokati i të akuzuarit për fajde.

Ai ka sqaruar se mjekët e QKUK’së kanë rekomanduar që Maqani të ketë një përcjellës me vetë nëse largohet nga QKUK’ja.

“…mjekët i kanë rekomanduar që ta ketë një përcjellës”, ka deklaruar pala mbrojtëse e Mentor Maqanit.

E nga Prokuroria e shtetit deklarojnë se tashmë kanë kërkuar raport nga ana e mjekëve të QKUK’së rreth gjendjes shëndetësore të Maqanit. Kështu ka deklaruar kryeprokurori i Prishtinës, Kujtim Munishi. Ai tha se sipas prokurorit të lëndës, Armend Hamitit, në momentin që gjendja shëndetësore e Maqanit të përmirësohet, ai do të kthehet në qendrën e Paraburgimit.

‘Ne jemi duke e mbikëqyrur situatën. Gardianët janë në detyrë. Ne kemi kërkuar raport nga ana e mjekëve për të marrë detaje rreth gjendjes shëndetësore të personit në fjalë. Në momentin kur gjendja e tij të përmirësohet, ai do të kthehet në paraburgim” tha kryeprokurori i Prishtinës, Kujtim Munishi.

E Mentor Maqani, ka probleme me mbipeshën. Ai para disa viteve ka pasur një ndërhyrje kirurgjike në Zvicërr. Në Kosovë, Maqani bashkë me katër persona të tjerë u arrestuan në fund të muajit maj me dyshimet se janë marrë me fajde dhe mashtrim.

Ndërkohë, Gjykata e Apelit në fund të muajit të kaluar vendosi që Maqanit, Ismet Osmanit të njohur si Curri, Ilir Bojku dhe Adil Thaçit t’i lë në paraburgim për 1 muaj. Ata po dyshohen për vepra penale të fajdesë, detyrimit dhe mashtrimit.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë në rastin e fajdeve futet edhe Mentor Maqani!. Duke shfrytëzuar gjendjen dhe situatën e rëndë në të cilën po kalonte Faton Dalladku, në këtë mes ishte futur edhe Mentor Maqani.

Ai gjatë vitit 2015 kishte hyrë në marrëveshje verbale për t’ia blerë pronën 5 hektarëshe afër qendrës tregtare QMI (rruga Prishtinë- Lipjan), në të cilën kishte investime rreth 1 milion euro.

Maqani pasi ishte futur brenda kësaj marrëveshje, ishte pajtuar fillimisht për ta blerë pronën në vlerë prej 700 mijë eurove, ai madje do ta blinte borxhin prej 450 mijë eurove Faton Dalladakut, kurse 250 mijë euro do t’i paguante këtij të fundit.

Borxhin e 450 mijë eurove kujtojmë se Dalladaku ia kishte Sami Nikës, Currit dhe Gorillës.

Fillimisht Maqani i transferon shumën prej 100 mijë eurove Faton Dalladakut, kurse për 150 mijë eurot e tjera i kishte dhënë 2 vetura personale në vlerë të këtyre parave.

Mentor Maqani pastaj tërhiqet në pazarin e QMI dhe i bie pishman për marrëveshjen me Faton Dalladakut për blerjen e tokës dhe larjen e borxheve të tija.

Ai fillimisht kërkoi t’i rikthehen 2 veturat e tij që ia kishte dhënë për pagesë ndaj borxhit të Faton Dalladakut, madje ai këtu e kishte kërcënuar atë duke i kërkuar kthimin e borxhit në shumë prej 582 mijë euro të tokës që kishte blerë.