Avokati i Pjetër Nrecajt që vrau gruan dhe vajzën: Nuk do ta pranojmë fajësinë

Avokati i Pjetër Nrecajt që vrau gruan dhe vajzën: Nuk do ta pranojmë fajësinë

Kronika June 24, 2019 - 18:37
Lexo Detajet

Në mars të këtij viti, Pjetër Nrecaj u dënua për vrasjen e bashkëshortes së tij Valbona Nrecaj dhe vajzës së tyre 9-vjeçare që e kreu në vitin 2018. Gjykata e Apelit kishte marrë vendimin që Ndrecaj të dënohet me burg të përjetshëm. Mirëpo, ky vendim i Apelit sot është hedhur poshtë nga Gjykata Supreme e Kosovës. Kjo e fundit ka vendosur që ta kthejë në rigjykim rastin e Nrecajt, duke thënë se janë gjetur shkelje në vendimin e gjykatës së shkallës së dytë. Avokati i Nrecajt, po thotë se pranimi i fajësisë nga klienti i tij është bërë në ngutje e sipër dhe se nuk e ka ditur as çka është duke pranuar.

E marta e 7 gushtit të vitit 2018 kishte tronditur jo vetëm Gjakovën, por tërë Kosovën. Pjetër Nrecaj kishte shkuar në shtëpinë e prindërve të bashkëshortes së tij, Valbona Nrecajt, ku me armë zjarri kishte privuar nga jeta atë dhe vajzën e tyre 9-vjeçare.

Tragjedia në familjen Nrecaj nuk kishte filluar atë natë kur ndodhi vrasja. Valbona e kishte lajmëruar bashkëshortin e saj në polici në muajin maj. Ajo kishte marrë mesazhe kërcënuese nga Pjetri, për të cilat kishte treguar në stacionin policor.

Prokuroria kishte vendosur masën e paraburgimit prej një muaji për Pjetrin, e që nga data 12 maj ata më nuk do të jetonin bashkë.

Valbona ishte shpërngulur në shtëpinë e familjes së saj, aty ku edhe ndodhi e gjithë tragjedia.

Në seancën gjyqësore, Nrecaj e kishte pranuar fajësinë për vrasjen e dyfishtë, por kishte thënë se vajzën e ka vrarë aksidentalisht.

Gjykata Themelore e Gjakovës kishte marrë vendimin që Nrecaj të dënohet me 24 vjet burgim. E ky vendim kishte ngjallur reagime të shumta të aktivistëve të të drejtave të grave dhe qytetarëve të cilit kishin mbajtur edhe protesta për ta kundërshtuar një vendim të tillë.

Vendimi i Gjykatës Themelore ishte hedhur poshtë nga Gjykata e Apelit e cila kishte vlerësuar se gjykata e shkallës së parë, nuk i ka vlerësuar në mënyrë të drejtë rrethanat rënduese.

“Pranimi i fajësisë thuhet më tutje në aktgjykim dhe shqiptimi i dënimit unik prej 24 viteve burgim, nuk është adekuat me peshën e veprës penale dhe shkallën e përgjegjësisë penale të të akuzuarit. Gjykata e Apelit vlerëson se duke qenë se janë shkaktuar pasoja tejet të rënda si objekt mbrojtës i veprës penale vrasje e rëndë, e që është jeta e njeriut si vlera më e madhe e mbrojtjes penalo juridike dhe vepra penale është kryer në rrethana posaçërisht renduese, në këtë mënyrë janë plotësuar dy kushte ligjore nga neni 44 i KPRK-së, për shqiptimin e dënimit me burgim të përjetshëm.”, thuhej ndër tjera në vendimin e Gjykatës së Apelit.

Ndërkaq Kolegji i Gjykatës Supreme të Kosovës, të hënën ka marrë vendimin që rasti i Nrecajt të kthehet në rigjykim, pasi sipas saj janë gjetur shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale në aktgjykimin e shkallës së parë dhe të dytë.

“Në rrethana të këtilla, Kolegji i Gjykatës Supreme, gjeti se aktgjykimi i shkallës së parë është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe se gjykata e shkallës së dytë, në pranimin e këtyre defekteve, në procedurën e pranimit të fajësisë, ka qenë e detyruar që aktgjykimin ta shqyrtojë dhe ta anulojë atë, e jo të kalojë mbi këtë shkelje, e cila është e pranishme dhe që kushtëzon cilësimin juridik, ngase mund të bëhet fjalë për vrasje të rëndë nga neni 179 par.1 nënp.1.11.të KPK-ës, vetëm nëse dy e më shumë vrasje janë kryer me dashje”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Supreme.

Avokati i Pjetër Nrecajt, Ndrecë Dodaj, ka thënë për Express se shkeljet në Gjykatën Themelore dhe Gjykatën e Apelit janë shumë serioze dhe në bazë të këtyre shkeljeve është marrë vendimi për rigjykim nga ana e Gjykatës Supreme.

“Ne e kemi ushtru një mjet të jashtëzakonshëm, kemi konsideru që ka shkelje ligjore, kanë bërë shkelje edhe Gjykata e Apelit edhe Gjyakta e Themelore, janë shkelje shumë serioze dhe normalisht që Gjykata Supreme i ka vërejtur dhe i ka kthyer ato vendime.  Nuk është bërë pranimi i fajësisë në përputhje me kërkesat ligjore, fatkeqësisht të pandehurit nuk i është sqaruar gjendja e fakteve, nuk i është sqaruar se çka është duke pranu e çka jo, është banalizu dhe është bërë shpejtë e shpejtë”, ka thënë Dodaj.

Dodaj thotë se vendimi i dy gjykatave është mbështetur në prova që nuk kanë ekzistuar. Ndërkaq ka theksuar se klienti i tij nuk do ta pranojë fajësinë.

“Tash do të administrohen të gjitha provat, ne nuk do ta pranojmë fajësinë, as në rastin e  gruas as të vajzës, do të amnistohen të gjitha provat. Vrasja ka ndodhë, por jo në rrethanat që kanë konstatuar Gjykata Themelore dhe ajo e Apelit. Ka të meta ligjore në pranim të fajësisë”, ka thënë Dodaj.

Ndërkaq ai shton se nuk e di nëse do të ndryshohet vendimi për burgim të përjetshëm ndaj klientit të tij, mirëpo thotë se pret që nuk do të përsëriten gabimet që janë bërë që nga fillimi i gjykimit.

Dënimi me burgim të përjetshëm sipas Ligjit:

1. Ligji mund të parasheh dënimin me burgim të përjetshëm për veprat më të rënda penale të

kryera në rrethana veçanërisht rënduese ose për vepra penale që kanë shkaktuar pasoja shumë

të rënda.

2. Ligji nuk mund të parasheh dënimin me burgim të përjetshëm si të vetmin dënim kryesor për

një vepër të veçantë penale.

3. Dënimi me burgim të përjetshëm nuk mund t’i shqiptohet personit i cili në kohën e kryerjes

së veprës penale nuk i ka mbushur njëzetenjë (21) vjet ose personit i cili në kohën e kryerjes së

veprës penale ka pasur aftësi esencialisht të zvogëluar mendore.