Deklarimi i Dreshajt para policisë: I kam thënë Arben Gashit kam me ta prishë fytyrën

Deklarimi i Dreshajt para policisë: I kam thënë Arben Gashit kam me ta prishë fytyrën

Kronika July 16, 2019 - 17:28
Lexoni detajet

Deputeti nga radhët e partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Gani Dreshaj, në deklaratën e dhënë në polici me 6 qershor 2018, kishte pranuar se e kishte kanosur deputetin e Lidhjës Depokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashin.

Dreshaj, së bashku me nënkryetarin e Kuvendit nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Xhavit Haliti, janë pjesë e aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë për konfliktin që kishte ndodhur në mes tyre dhe Arben Gashit, në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, me 18 maj 2018.

Në bazë të arsyetimit të aktakuzës të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Dreshaj kishte pranuar se Gashit i ishte drejtuar me fjalët “kom me ta prishë fytyrën”, por sipas tij, nuk kishte pasur për qëllim për ta dëmtuar, por kishte vepruar në atë mënyrë pasi i ishte dukur se Gashi e kishte goditur Halilin.

Gjatë dhënies së deklaratës në polici, Dreshaj i kishte kërkuar falje të dëmtuarit Gashi dhe kishte premtuar se nuk do të ndodhë diçka e tillë në të ardhmen.

Ndërsa, sipas arsyetimit të aktakuzës, Haliti gjatë dhënies së mbrojtjes së tij në polici me 6 qershor 2018, nuk kishte pranuar se e kishte sulmuarin Gashin, por kishte thënë se pasi e kishte kryer votimin, gjatë ecjes, ishte ngatërruar dhe ishte munduar të mbahet diku për të mos u rrëzuar.

Mirëpo, deputeti Arben Gashi, i cili sipas kësaj aktakuze ka cilësinë e të dëmtuarit, në deklaratën e dhënë në polici me 25 maj 2018, kishte thënë se derisa deputetët kishin qenë duke votuar në Kuvend, Haliti në ecje e sipër e kishte goditur në gjoks dhe i kishte thënë “lëshoma rrugën”, kurse pastaj nga mbrapa kishte ardhur Dreshaj, i cili i kishte thënë atij “kom me ta prishë fytyrën”.

Në këtë deklaratë, i dëmtuari Arben Gashi kishte shtuar se me 17 maj 2018, me të akuzuarin Haliti kishin pasur një mosmarrëveshje e cila kishte kaluar edhe në fyerje dhe sharje, dhe sipas tij, kjo ngjarje kishte pasur mundësi të ndikonte në konfliktin e tyre me 18 maj 2018 në Kuvend.

Lexo po ashtu:

Aktakuzë ndaj Xhavit Halitit dhe Gani Dreshajt për sulm dhe kanosje ndaj Arben Gashit

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, më 18 maj 2018, në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Xhavit Haliti, me dashje e kishte sulmuar deputetin Arben Gashi duke e shtyrë me krah dhe bërryl në gjoks.

Ndërsa deputeti Gani Dreshaj, po akuzohet se po të njëjtën ditë, me dashje e kishte kanosur deputetin Gashi, me fjalët “kom me ta prish fytyrën”. Me këtë fjali prokuroria pretendon se Gashit i është shkaktuar ndjenja e frikës dhe ankthit.

Vepra penale e “sulmit”, me të cilën akuzohet Haliti, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës parasheh një dënim me gjobë ose me burgim deri në tri vite, ndërsa ajo e “kanosjes”, me të cilën ngarkohet Dreshaj, pirashësh një dënim me gjobë ose me burgim deri në gjashtë muaj.

Ndryshe, neni 493 i Kodit të Procedurës Penale, mundëson që për veprat penale të dënueshme deri në tri vite burgim, të shqiptohet dënimi, pa pasur nevojë të mbahet shqyrtim gjyqësor.

Në bazë të këtij neni, prokurori i shtetit mund të kërkojë shqiptimin e një ose më shumë masave si dënim me gjobë, ndalim të drejtimit të automjetit, urdhër për publikim të aktgjykimit, konfiskim të sendit, vërejtje gjyqësore ose konfiskim të dobisë pasurore të fituar me vepër penale.