Një vit e gjysmë nga vrasja e Ivanoviqit, Radojiçiq larg duarve të drejtësisë

Një vit e gjysmë nga vrasja e Ivanoviqit, Radojiçiq larg duarve të drejtësisë

Kronika korrik 16, 2019 - 23:30
Lexo tjera detaje

Tash e 18 muaj, ka një ngjarje që ende mbetet mister, e ajo është vrasja e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq.

   

Ishte saktësisht mëngjesi i 16 janarit të vitit 2018 kur para zyrave të partisë SDP në Mitrovicën e Veriut ishte qëlluar për vdekje ish-kryetari i kësaj partie, Oliver Ivanoviq.

Rasti i vrasjes së tij u bë mollë sherri dhe arsye e përplasjeve të mëdha mes organeve të drejtësisë të Kosovës dhe Serbisë, edhe sa i përket fajtorëve edhe bashkëpunimit reciprok për zbardhje të këtij rasti.

Ndërkohë, tani 18 muaj pas vrasjes të tij, autoritetet evropiane kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia bashkëpunim të mirëfilltë në hetime deri në gjetjen e vrasësit.

Për të zbardhur rastin, Policia e Kosovës arrestoi tre persona, mirëpo jashtë duarve të tyre mbeti i dyshuari kryesor, Milan Rajdojiçiq për të cilin, presidenti serb, Aleksandër Vuçiq thotë se nuk është toror.

Janë bërë saktësisht gjashtë muaj prej kur Prokuroria e Kosovës ka njoftuar se janë në fazën e hetimeve ku kanë intervistuar një numër të konsiderueshëm të dëshmitarëve dhe kanë zgjeruar hetimet.

I dyshuari kryesor i këtij rasti i cili njihet si ‘koka’ e mafisë dhe krimit në Mitrovicën e Veriut, Milan Radojiçiq mbetet ende larg organeve të drejtësisë.

Ndaj të njëjtit, Prokuroria nuk mundet të ngris aktakuzë e as të gjykohet në mungesë, sipas njohësve të drejtësisë dhe gjyqësisë.

Prokuroria kishte lëshuar fletëarrest për Milan Radojiçiq por i njëjti kishte refuzuar t’i përgjigjet organeve të drejtësisë dhe ka qenë i pakapshëm për Policinë e Kosovës.

Së fundmi, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka thënë se vrasësit e Oliver Ivanoviqit fshihen në Beograd, deklaratë kjo që ka ngjallur reagime nga pala tjetër.

Pala serbe, mbron kategorikisht Zvonko Veselinoviqin dhe Milan Radojçiqin si njerëz të cilët nuk kanë lidhje me vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq, emrat e të cilëve janë përmendur nga drejtësia e Kosovës.

Edhe nga njëra palë edhe nga tjetra, vazhdimisht ka pasur akuza për mos-bashkëpunim, por drejtësia serbe ishte raportuar se edhe ka fshehur prova në lidhje me vrasjen.

Tash e një vit e gjysmë, vrasja e ish-politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq mbetet ende mister, ndërsa drejtësia kosovare është zotëruar se rasti do të zbardhet. /Lajmi.net/