Arrestohet serbi i dyshuar për vrasjen e civilëve gjatë luftës në Lipjan

Arrestohet serbi i dyshuar për vrasjen e civilëve gjatë luftës në Lipjan

Kronika July 20, 2019 - 21:07
Lexoni detajet

Një serb është arrestuar në Kosovë si i dyshuar për krime lufte.

Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate për media nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, njofton opinionin se, sot, gjatë ditës është arrestuar i pandehuri G.S., i nacionalitetit serb, shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit senë bashkëkryerje me të pandehurit e tjerë ka kryer veprën penale “Krime Lufte kundër popullsisë civile”, në kundërshtim me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Kodit Penal të Republikës Socialiste Federale të Jugosllavisë (KPRSFJ) lidhur me Nenin 3  të Konventës së katërt të Gjenevës, po ashtu e penalizuar me nenin 146, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës se Kosovës”, thuhet në komunikatën për media.

Prokuroria Speciale njofton se ekziston dyshimi i bazuar se gjatë periudhës kohore, 15 dhe 16 prill 1999, i pandehuri G.S., në bashkëkryerje me të pandehurit tjerë pjesëtarë të njësive rezervë të njësive ushtarake dhe policor të Serbisë, gjatë një ofensive të drejtuar kundër popullsisë civile në Komunën e Lipjanit dhe lokaliteteve për rreth, me përdorimin e forcës ushtarake, dhunës, plaçkitjes dhe frikësimit, fillimisht kanë dëbuar popullsinë civile shqiptare nga shtëpitë e tyre, e pastaj nga familjet të cilat ishin duke u përpjekur që të largohen nga sulmet dhe dhuna, të pandehurit i kanë ndarë dhjetëra persona, të cilët pastaj i kanë vrarë.

Me këto veprime i pandehuri G.S., në bashkëkryerje me të pandehurit e tjerë ka kryer veprën penale “Krime Lufte kundër popullsisë civile”, në kundërshtim me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Kodit Penal të Republikës Socialiste Federale të Jugosllavisë (KPRSFJ) lidhur me Nenin 3  të Konventës së katërt të Gjenevës, po ashtu e penalizuar me nenin 146  dhe  lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës se Kosovës.

Gjithashtu, Prokuroria Speciale sot ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë –Departamenti Special, caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit G.S., për shkak të dyshimit se ka kryer veprën e lartcekur.