Afër 70.000 euro para të falsifikuara të identifikuara deri në qershor, në 31 lëndë ka të dënuar
Foto: Ilustrim

Afër 70.000 euro para të falsifikuara të identifikuara deri në qershor, në 31 lëndë ka të dënuar

Kronika August 21, 2019 - 17:39
Lexo Detajet
Image

Rreth 200 raste për veprën penale “Falsifikimi i parasë” janë paraqitur në Policinë e Kosovës vetëm gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti. Nga 56 lëndë të zgjidhura që i takojnë kësaj vepre penale, në 8 lëndë ka pasur dënim me burgim, në 17 raste aktgjykimi ka qenë refuzues e në 4 të tjera-lirues, Shuma e parave të falsifikuara arrin në rreth 65,695.00 euro nga kartëmonedhat dhe 3,244.45 euro nga monedhat e konfiskuara, ka bërë ditur Agjensia e Kosovës për Forenzikë për “Zeri.info”. Ndërkohë ekonomistët thonë se qarkullimi i parave fals është problem kryekëput i organeve të sigurisë dhe se ky problem ushqen kriminalitetin në kurriz të bizneseve dhe qytetarëve.

Rreth 200 raste për veprën penale “Falsifikimi i parasë” raportuar vetëm në gjysmën e parë të këtij viti. 619 të tilla ishin raportuar gjatë tërë vitit të kaluar ka bërë të ditur Policia e Kosovës për “Zeri.info”.

Nga ky institucion kanë thënë se kanë realizuar një numër të aktiviteteve policore ndaj personave që dyshohet se kanë kryer veprën penale të falsifikimit të parave dhe se ata janë trajtuar konform ligjeve të zbatueshme në fuqi.

“Policia e Kosovës ka ndërmarrë veprime të vazhdueshme për zbatimin e planeve policore, luftimin e dukurive negative, krimin organizuar si dhe reduktimin aktiviteteve ilegale në përgjithësi. Në këtë kontekst në kemi realizuar edhe një numër të aktiviteteve policore edhe kundër veprave penale që sipas Kodit Penal cilësohen “Falsifikim i parasë”dhe mund të konkludojmë se si rezultat i këtyre përpjekjeve operacionale janë konfiskuar deshmi relevante dhe personat e dyshuar të involvuar ne raste të tilla në konsultim me organet kompetente të drejtësisë janë trajtuar konform ligjeve të aplikueshme”, kanë thënë ata për “Zerin”.

Neni 302 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës “Falsifikimi i parasë” parasheh dënime për personat që kryejnë këtë vepër.

Dënim prej një deri në 10 vjet parashihet për këdo që prodhon para të falsifikuara me qëllim për t’i vënë në qarkullim si të vërteta; Dënim prej një deri në tetë vjet për këdo që duke ditur se paraja është e falsifikuar merr, vë në qarkullim, transporton, pranon, përdorë ose posedon paranë e falsifikuar me qëllim që ta vë në qarkullim si të vërtetë; Dënim me gjobë ose burgim për këdo që pranon paranë e falsifikuar prej pesëdhjetë euro ose më pak duke besuar se është e vërtetë dhe pastaj e përdorë duke ditur se është e falsifikuar; Dënim me gjobë ose burgim deri në një vit për këdo që ka dijeni për prodhimin apo përdorimin e parave të falsifikuara dhe këtë nuk e raporton ndërsa për dy pikat e para parashihet dënim jo më pak se tri vjet nëse shuma e parave të falsifikuara tejkalon 100.000 euro.

Nga të dhënat që i ka siguruar “Zeri.info” nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, nga 56 lëndë të zgjidhura në 8 lëndë ka pasur dënim me burgim, në 12 lëndë dënim me gjobë, në 9 raste dënim me kusht, në 12 raste dënimi është parashkruar si tjetër, në 17 raste aktgjykimi ka qenë refuzues kur është refuzuar ankesa apo padia e palës, ndërsa në 4 raste-lirues, kur i/e akuzuara/të akuzuarit janë shpallur të pafajshëm. Numër i madh është edhe i lëndëve të pazgjidhura. 151 janë të pazgjidhura në fillim të periudhës raportuese kurse 120 të pazgjidhura në fund të periudhës raportuese.

Image

Sa para false janë konfiskuar gjatë këtij viti?

“Zeri.info” nga të dhënat e siguruara prej Agjencisë së Forenzikës së Kosovës të pjesës së parë të këtij viti, departamentit që merret me fushën përkatëse, ka mësuar se shuma e parave të falsifikuara arrin në rreth 65,695.00 euro nga kartëmonedhat dhe 3,244.45 euro nga monedhat e konfiskuara. Po ashtu si kartëmonedhë e konfiskuar dominon ajo e prerjes prej 100 euro në 73.3 % të rasteve ndërsa denominimet në vlerë prej 500€, 200€ dhe 50€ përbëjnë rreth 18.6%. Sa i përket monedhave, më e falsifikuara është ajo e 2 eurove e falsifikuar në 55.4 % të rasteve.

Image

Image

Por cili është roli i Bankës Qendrore të Kosovës dhe institucioneve të tjera në luftimin e këtij fenomeni?

Në një përgjigjje me shkrim për “Zeri.info” nga ky institucion, bëjnë me dije se roli i BQK-së është nxjerrja e rregulloreve për institucionet financiare që kryejnë shërbime me para të gatshme, rregullore që përcaktojnë detyrimet dhe veprimet e tyre kur hasin në para të falsifikuara.

“Roli dhe kompetencat e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës në luftimin e parasë së falsifikuar janë të definuara me Ligjin për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës dhe më tepër hyjnë në suaza të nxjerrjes së rregulloreve për institucionet financiare që kryejnë shërbime me para të gatshme, rregullore këto që përcaktojnë detyrimet e institucioneve financiare si dhe veprimet e kërkuara që duhet të ndërmerren nga këto të fundit kur ato të zbulojnë kartëmonedhë/monedhë të dyshuar si të falsifikuar”, ka thënë për “Zeri.info”, Kushtrim Ahmeti, zëdhënës i autoritetit qendror bankar të Kosovës.

Sipas rregullores institucionet janë të obliguara:

  • Të sigurojnë gjitha kartëmonedhat dhe monedhat euro dhe valutat e tjera që pranojnë gjatë veprimtarisë së tyre, t’i kontrollojnë për vërtetësi dhe përshtatshmëri me anë të makinerive për procesimin dhe trajtimin e kartëmonedhave dhe monedhave sipas standardeve,
  • Të sekuestrojnë dhe tërheqin nga qarkullimi kartëmonedhat dhe monedhat euro dhe valutat e tjera të pranuara nga palët, të cilat ata i dinë ose kanë arsye të mjaftueshme të besojnë që janë të falsifikuara
  • Që kartëmonedhat dhe monedhat euro dhe valutat e tjera të dyshuara si të falsifikuara të detektuara dhe të tërhequra nga qarkullimi duhet t’i dorëzohen autoritetit kompetent sipas legjislacionit në fuqi, udhëzimeve dhe procedurave përkatëse të këtyre të fundit.

Sa rrezikohet ekonomia e Kosovës nga ky fenomen?

Ekonomisti Naim Gashi ka bërë të ditur për portalin “Zeri.info” se efektet në ekonomi nuk janë shumë evidente, por se ky problemsipas tij ushqen kriminalitetin në kurrriz të bizneseve dhe qytetarëve. Për të, qarkullimi i parave të falsifikuara është problem kryekëput i organeve të sigurisë.

“Qarkullimi i parave të falsifikuara është kryekëput problem i organeve të sigurisë, sepse është vepër penale e dënueshme sipas ligjit. Efektet në ekonomi nuk janë shumë evidente, por ky është problem i cili ushqen kriminalitetin në kurriz të bizneseve dhe qytetarëve. Policia e Kosovës, institucionet e drejtësisë dhe AKI duhet t’i bashkërendojnë aktivitetet për luftimin e kësaj dukurie. Ky problem nuk është vetëm i Kosovës, por edhe i vendeve të rajonit dhe vendeve tjera, prandaj nevojitet një bashkëpunim rajonal dhe më gjerë për luftimin e kësaj dukurie”, ka thënë ai./ZERI