Merret vendimi për vajzën e cila u gjet në bagazhin e makinës në kufi me Serbinë

Merret vendimi për vajzën e cila u gjet në bagazhin e makinës në kufi me Serbinë

Kronika August 22, 2019 - 14:36
Detajet

Vajza 9-vjeçare nga Podujeva e cila u gjet nga policia kufitare serbe në Merdare sot i është kthyer gjyshërve të saj të cilët do të përkujdesen për të.

Lajmin e kanë konfirmuar për Periskopin nga Zyra ndërlidhëse e Kosovës në Serbi.

“E mitura është riatdhesuar në Kosovë. Krejt në rregull, në perkujdesje dhe kujdestari të gjyshëreve”, thanë nga kjo zyrë.

Katër ditë më parë u raportua për rastin e saj, ndërsa deri sot ajo po qëndronte në njërën nga Qendrat për Punë Sociale në Serbi.

Daja i saj kishte tentuar ta nxirrte nga Kosova në Serbi përmes pikës kufitare në Merdare, në një formë të tmerrshme.

Mbesën e tij (vajzën e motrës) e kishte futur më bagazh, saktësisht në vendin e destinuar për gomën rezervë të veturës, ku edhe u gjet nga policia serbe.

Mediet serbe raportuan se vetura në të cilën po fshihej vajza ishte me targa të Gjermanisë ndërsa po drejtohet nga një burrë 42-vjeçar, shkruan Periskopi.

Gjatë inspektimit të rregullt, ata thanë se nuk kishin asgjë për të raportuar, por oficerët doganorë gjetën një vajzë nëntë vjeçare shqiptare të fshehur te vendi për gomën rezervë. Më pas policia gjeti në veturë dokumentet e vajzës, e cila është nga Podujeva.

Shoferi i veturës i ka thënë autoriteteve serbe se fëmija ishte i motrës së tij, e cila jeton në Gjermani, dhe ajo derisa po luante aksidentalisht ishte fshehur në bagazh.

Të dyshuarit janë arrestuar dhe me urdhër të Prokurorit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, për të cilët më nuk ka ndonjë informacion.

9 vjeçarja ishte nisur në Gjermani për t’u bashkuar me nënë e saj. Vajza kishte katër vite që po tentonte të siguronte dokumentet por të gjitha tentimet kishin dështuar.