Thaçi: Të burgosurve u mundësohet të punojnë në kompani private

Thaçi: Të burgosurve u mundësohet të punojnë në kompani private

Kronika August 25, 2019 - 08:37
Lexoni detajet

Të burgosurve në burgjet e Kosovës së shpejti do t’u lejohet të bëjnë punë edhe jashtë ambientit të burgjeve.

Kjo do të bëhet e mundur përmes një udhëzimi administrativ që pritet të nënshkruhet javën e ardhshme nga Ministria e Drejtësisë.

Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës (ShKK), Nehat Thaçi, në një intervistë për Ekonomia Online njoftoi se javën e ardhshme me anë të një udhëzimi administrativ disa të burgosur do të kenë mundësinë të dalin nga burgu në ora 8-të e mëngjesit për të punuar në kompani private dhe në mbrëmje të kthehen prapë ta bëjnë gjumin në burg.

“Të burgosurit që janë shfrytëzues të vikendeve, por që nuk kanë shkelje të rregullores së brendshme të ShKK-së mund ta trajtohen në burgun e tipit të hapur, ata që trajtohen në burgun e tipit të hapur presin diku nga java e ardhshme të nënshkruhet udhëzimi administrativ që të gjithë atyre t’u lejohet puna jashtë, d.m.th ata munden 8 mëngjes me dalë nga burgu me shku me punu në ndonjë kompani private dhe në mbrëmje ta bëjnë gjumin në burg”, tha ai.

Thaçi tha se ka disa projekte që zhvillohen sa i përket rehabilitimit dhe risocializimit të të burgosurve.

“Ka profile të ndryshme si në fushën e Bujqësisë të burgosurit kryejnë veprimtari, në Zdrukthuari, Ujësjellës, Rrymë, IT, e disa profile tjera ku të burgosurit mund të kryejnë trajnime të ndryshme që të jenë të përgatitur pas përfundimit të burgut dhe të jenë pjesë e shoqërisë”, tha ai.

Thaçi ka thënë se kontrabanda nëpër burgje është ende aktive edhe pse po merren preventiva për ta ndaluar këtë, por që kjo nuk ndodh vetëm në burgjet e Kosovës, por është fenomen global.

Ai thotë se një incident që ndodhi ditë më parë në njërën nga dhomat e burgut të Lipjanit u shkaktua nga vetë të burgosurit, pasi që të burgosurve u lejohet pirja e duhanit brenda në dhomë dhe kështu kanë ndezur zjarr brenda dhomës.

“Të burgosur ka të ndryshëm, me probleme psikike, përdorues të drogave të ndryshme që vijnë në këtë gjendje në burgje. Së fundi kanë qenë dy të paraburgosur që kanë shfaqur pakënaqësitë e tyre përmes ndezjes, por fatmirësisht deri më tani nuk kemi pasur asnjë lëndim nga këto ndezje nga të burgosurit. Në burgjet e Kosovës dhe në rajon nuk është e ndaluar pirja e duhanit brenda në dhomë, kështu secili duhanpirës mund ta ketë afër vetës një shkrepëse apo mjet që mund të ndizet sepse nuk është e ndaluar pirja e duhanit në burgje”, tha ai.

Thaçi tha se së fundmi herë ka pasur disa vdekje që kanë ndodhur në burgjet e Kosovës, por që kanë qenë vdekje të natyrshme, por disa prej tyre edhe nga sëmundjet e ndryshme.

“Rastet e vdekjes janë të theksuara, mirëpo ShKK me departamentin shëndetësor ka bashkëpunim të plotë dhe gjithë të burgosurit që kanë probleme shëndetësore trajtohen në mënyrën më profesionale brenda ShKK-së. Në momentin kur ne nuk mundemi me i ofru këto shërbime atëherë transferohen në QKUK në spitalet rajonale apo në qendrën në Prishtinë”, tha ai.

Thaçi tha se higjiena dhe cilësia e ushqimit në burgje është në nivel të mirë, ai thotë se për të ruajtur këtë nivel vazhdimisht burgjet inspektohen nga institucione të ndryshme si nga Inspektorati i Burgjeve, Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, QKMRT, KMDLNj, Avokati i Popullit etj.

“Pastërtia është në nivelin shumë të kënaqshëm sepse në vazhdimësi investojmë në renovimin e pavijoneve apo vendbanimet e të burgosurve, ndërsa kualiteti i ushqimit është mjaft i lartë me kalori të mjaftueshme dhe deri më tani nuk kemi pasur asnjë ankesë të vogël për dyshime në ushqim”, shtoi Thaçi.