Prokuroria pranon se po akuzonte gabimisht burrin nga Klina për vjedhje të rrymës

Prokuroria pranon se po akuzonte gabimisht burrin nga Klina për vjedhje të rrymës

Kronika October 22, 2019 - 14:23
Detajet

Gjykata Themelore në Pejë, dega në Klinë, ia ka kthyer mbrapshtë aktakuzën Prokurorisë Themelore në Pejë, e cila ka pranuar se gabimisht e ka akuzuar Milazim Bojaj, për vjedhje të rrymës.

Në këtë rast, të martën ishte paraparë të mbahej seanca fillestare, në të cilën i akuzuari ka thënë se ai është pagues i rregullt i energjisë elektrike, për çka si provë ka ofruar faturën e kompanisë KEDS.

Sipas gjykatësit Jashar Gashi, sipas kësaj prove është vërtetuar fakti që ajo nuk përputhet me numrat e orës dhe është ndryshe nga ajo që punëtorët e autorizuar të kompanisë KEDS, sipas procesverbalit, kishin ofruar si provë kundër të akuzuarit.

Kurse, prokurori i çështjes, Muharrem Bajraktari, ka thënë se pas pranimit të faturës së të akuzuarit kanë vërejtur se provat e shkresave të lëndës nuk i përkasin rastit të tillë, por të ndonjë personi tjetër me emër, mbiemër dhe shënime të tjera.

“Andaj, mundem që gjatë shqyrtimit të bëjmë ndryshimin, që lënda t’i kthehet prokurorisë në përmirësim”, ka thënë prokurori Bajraktari.

Duke u bazuar në këtë gjykatësi Gashi, ka marrë aktvendim që kjo aktakuzë t’i kthehet prokurorisë për përmirësim dhe atë në afatin prej dy javësh.

“Kthehet aktakuza e prokurorisë për përmirësim, meqenëse të dhënat e personit që e kemi prezent janë të njëjta me emër dhe mbiemër, por numri i orës dhe të dhënat tjera personale, nuk kanë të bëjnë me personin që kemi prezent. Prokuroria do të komunikoj me të dëmtuarën KEDS, në afatin prej dy javësh dhe do ta njoftojë gjykatën me aktakuzën e përmirësuar”, ka thënë gjykatësi, Jashar Gashi.

Ndryshe, sipas kësaj aktakuze që është ngritur më 28 gusht 2019, nga Prokuroria Themelore në Pejë, Milazim Bojaj akuzohej se më parë e deri më 23 nëntor 2017, në fshatin Kërrnicë e Komunës së Klinës, saktësisht në objektin e tij familjar, siguron shërbime për të cilat dihet se mundësohen vetëm në shkëmbim të kompensimit dhe shmang pagesën për shërbime të tilla.

Në aktakuzë thuhet se gjatë një kontrolli të bërë nga ekipi i kompanisë KEDS, rezulton se i pandehuri shfrytëzon energjinë elektrike, i lidhur me një kabllo jashtë pikës matëse, ashtu që energjia e shpenzuar nuk është regjistruar, me ç’rast KEDS-it, distriktit në Pejë, i shkakton dëm material në lartësi prej 124.48 euro.

Për shkak të këtyre veprimeve, ai akuzohej se ka kryer vepër penale “Vjedhja e shërbimeve”, nga neni 314 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi