Dënohet me 300 euro gjobë për 1 gram marihuanë

Dënohet me 300 euro gjobë për 1 gram marihuanë

Kronika November 12, 2019 - 13:37
Detajet

Pasi që ka pranuar fajësinë se kishte poseduar 1 gram marihuanë, Gjykata Themelore në Pejë, dega në Istog, e ka dënuar me 300 euro gjobë, të akuzuarin Arbër Bajra.

I akuzuari, gjithashtu është obliguar edhe në shpenzimet procedurale në shumën prej 50 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Po ashtu, sipas gjykatësit Arben Mustafaj, të akuzuarit i shqiptohet edhe dënimi plotësues, konfiskimi i substancës narkotike.Para se të shpallej aktgjykimi, i akuzuari Bajra e ka pranuar veprën penale, e cila i vihej në barrë, duke shprehur keqardhje për rastin e ndodhur.

“Më vjen keq për rastin. Është hera e parë që bie ndesh me ligjin, dhe premtoj që më asnjëherë nuk do të përsëritet diçka e tillë”, ka thënë i pandehuri Bajra.

Edhe prokurori Ersan Qavolli, është pajtuar me pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit, duke i propozuar gjykatës që pranimin e fajësisë t’ia marrë si rrethanë lehtësuese me rastin e marrjes së vendimit mbi dënimin e tij.Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, më 10 tetor 2019, i pandehuri Arbër Bajra, ngarkohet me veprën penale “posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” nga neni 269 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në aktakuzë thuhet se më 17 shtator 2019, rreth orës 17:40, në rrugën “Lidhja e Prizrenit” në Istog, përderisa njësiti i DHTN-së ishte në implementimin e planit operativ “Stop drogave nëpër shkolla”, kanë ndaluar veturën “VË golf 4”, të cilën ka qenë duke e ngasë Arbër Bajra, e ku aty pas legjitimimit, kanë vërejtur një vazo të vogël, e në të cilën i pandehuri pa autorizim ka poseduar substancë narkotike, të llojit marihuanë, në sasi prej një gram.