Dy dekada, me mijëra viktima në trafikun egërshan
Foto: Laura Hasani

Dy dekada, me mijëra viktima në trafikun egërshan

Kronika November 16, 2019 - 07:59
Detajet
Image

Dje një person ka humbur jetën dhe dy të tjerë kanë mbetur të lënduar në një aksident trafiku në magjistralen Prishtinë - Podujevë. Aksidente si ky me fatalitet janë të shumta në Kosovë. Vetëm gjatë këtij viti në aksidente trafiku kanë humbur jetën 99 persona. Përllogaritet që brenda një viti në komunikacion humbin jetën mbi 100 persona, ndërsa vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti nga kompanitë e sigurimeve u paguan 22 milionë euro dëme, shkruan sot gazeta "Zëri".

Një person ka gjetur vdekjen dje në një aksident trafiku në magjistralen Prishtinë – Podujevë, përkatësisht në fshatin Lluzhan. Nga ky aksident të lënduar mbetën edhe dy persona të tjerë. Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, të prezantuara dje në Ditën Ndërkombëtare pa Viktima në Trafik, vetëm gjatë këtij viti në aksidente me fatalitet kanë pësuar 99 persona. Shqetësues është numri i viktimave në komunikacion qysh nga paslufta. Gjatë këtyre 19 vjetëve në Kosovë kanë humbur jetën gjithsej 2513 persona, teksa përllogaritet që çdo vit në aksidente shuhen mbi 100 jetë njerëzish. Të alarmuar me këtë gjendje janë edhe kompanitë e sigurimeve. Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti këto kompani kanë paguar 22 milionë euro dëme të shkaktuara nga aksidentet. Përndryshe, dje Shoqata e Sigurimeve të Kosovës, Policia e Kosovës dhe Ministria e Infrastrukturës kanë përmbyllur kampanjën “Dita Ndërkombëtare pa Viktima në Trafik”, e cila organizohet në gjithë botën në përkujtim të viktimave të trafikut dhe ngritjes së vetëdijes për sigurinë në trafik.

Shifra alarmante të aksidenteve me fatalitet

Në krahasim me vitin e kaluar, numri i viktimave në aksidente trafiku ka rënë për 10 persona.

Drejtori i Divizionit të Komunikacionit Rrugor nga Policia e Kosovës, Jeton Rexhepi, ka thënë se, në krahasim me vitin e kaluar, këtë vit në aksidente trafiku kanë humbur jetën 99 persona. “Gjatë 19 vjetëve kanë vdekur 2513 persona. Në vitin 2019 janë 10 viktima më pak, duke i krahasuar me vitin e kaluar, që kanë qenë 107 persona. Ata duhet të ndryshojnë sjelljen në trafikun rrugor që të kemi rregull dhe siguri më të madhe. Një përkujtim i miliona personave që humbin jetën ose familjarët e tyre në trafik. Institucionet janë duke punuar që gjendja të ndryshojë në vazhdimësi”, ka bërë të ditur ai.

Duke folur për mesataren e aksidenteve me fatalitet, Rexhepi theksoi se për çdo vit në Kosovë ndodhin mesatarisht 122 aksidente me fatalitet. “Siguria është mbi të gjitha, derisa automjeti mund të zëvendësohet në çdo kohë. Nga viti 2002 deri në vitin 2018 mesatarisht në Kosovë kanë ndodhur 15.574 aksidente. Mesatarisht në vit ndodhin 122 aksidente fatale, ndërsa mesatarisht vdesin 142 persona”, ka thënë më tutje ai.

Rritet numri i rasteve në QKUK

Drejtori i Klinikës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Basri Lenjani, ka bërë të ditur se numri i rasteve të viktimave në trafik ka shënuar rritje. Ai pohoi se deri në fund të këtij viti pritet që numri i rasteve të paraqitura në QKUK të mbërrijë deri në 100 mijë raste. “Shërbimet emergjente pranë Shërbimit Spitalor shënojnë numrin më të madh. Kemi pasur 60 mijë raste në vitin 2018, tani kemi mbërritur 70 mijë raste, ku pritet që deri në fund të vitit të mbërrijmë 100 mijë raste”, ka bërë të ditur Lenjani.

Drejtori i Emergjencës bëri të ditur që, duke e krahasuar me vitin e kaluar, numri i rasteve është rritur për 97 persona. “3806 raste nga aksidentet, për 97 raste është rritur numri në krahasim me vitin e kaluar. Brenda ditës 16 mijë raste vdesin në botë nga aksidentet”, shkruan tutje "Zëri".

22 milionë euro, haraçi i dëmeve në trafik

Në Ditën Ndërkombëtare pa Viktima në Trafik Shoqata e Sigurimeve e Kosovës ka shpalosur shifra alarmante për sa u përket dëmeve të paguara nga dëmet në trafik. Vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti kompanitë e sigurimeve kanë paguar 22 milionë euro dëme.

Drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Sigurimeve, Sami Mazreku, ka thënë që ky numër është rritur për 5,7%. “Kompanitë e sigurimeve kanë paguar 400 milionë euro dëme pa përfshirë 2019-n. Nga këto dëme 40 milionë janë dëme vetëm nga veturat e pasiguruara. Këtë vit në 6-mujorin e parë kompanitë kanë paguar 22 milionë dëme, gjë që është në rritje për 5,7%, e krahasuar me vitin e kaluar”, tha ai, shkruan "Zëri".

19 - 35-vjeçarët, më të rrezikuarit nga aksidentet

Fejzulla Mustafa, nga Këshilli i Sigurisë për Sigurinë në Trafik në MTI, duke krahasuar numrin e madh të aksidenteve në Kosovë dhe të atyre në botë, pohoi se më të rrezikuarit janë personat e moshës 19 - 35 vjeç. “Fokusi komplet i fushatës që ka filluar 10 ditë më parë ka qenë të kemi një fushatë vetëdijesuese te studentët dhe te njerëzit që janë mbi 19 vjet. Për momentin, siç e dimë, në Republikën e Kosovës më të rrezikuarit janë ata nga mosha 19 – 35-vjeçare”, ka thënë Mustafa, duke shtuar se në botë 1.3 milion njerëz vdesin çdo vit në aksidente.

Ndër të tjera, ai bëri të ditur strategjinë e re, e cila do të jetë në bashkëpunim me BE-në për sigurinë dhe për mbrojtjen e personave në trafik. “Strategjia e re duhet të jetë në bashkëpunim me BE-në. Veprimet e strategjisë duhet të zbërthehen me menaxhimin e sigurisë rrugore, në mbrojtjen e shfrytëzuesve rrugorë, këmbësorët ose çiklistët”, ka thënë Mustafa./ZËRI