Pranoi se me armë pa leje shtiu në dasmën e djalit, dënohet me burgim me kusht dhe gjobë

Pranoi se me armë pa leje shtiu në dasmën e djalit, dënohet me burgim me kusht dhe gjobë

Kronika December 13, 2019 - 17:45
Detajet

Një vit burgim me kusht dhe 300 euro gjobë, ka shqiptuar Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Podujevë, ndaj të akuzuarit për armëmbajtje pa leje dhe përdorim të saj, S.Sopa.

Dënimi me burg nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale, brenda periudhës verifikuese prej dy vjetësh.

Aktgjykimi ndaj tij është shpallur pasi që paraprakisht i akuzuari e ka pranuar fajësinë për të dy veprat penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Minir Hoti, për përdorim të armës, e ka dënuar me një vit burgim me kusht, kurse për armëmbajtje pa leje me 300 euro gjobë, të cilën ai është obliguar ta paguajë pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

I akuzuari është ngarkuar edhe me shpenzimet e procedurës dhe atë 20 euro në emër të paushallit dhe 30 të tjera për kompensimin e viktimave të krimit, si dhe i janë konfiskuar armët që kanë qenë objekt i kryerjes së veprave penale.

Në seancën e së premtes, para se të shpallej aktgjykimi ndaj tij, i akuzuari ka thënë se pranon fajësinë.

“E pranoj fajin. Është e vërtetë që kam pas në posedim dy pistoleta me gaz dhe njërën prej tyre e kam përdorur në dasmën e djalit. Sipas traditave kur është nisur dasma kam shtënë katër herë. Më vjen keq që ka ndodhë rasti, nuk e kam pasur qëllimin të frikësojë askënd dhe asnjëherë më parë nuk i kam përdorë. Lus gjykatën për dënim më të butë, sepse në çdo fazë të procedurës kam bashkëpunuar me policinë, prokurorinë dhe gjykatën”, ka thënë ndër të tjera ai.

Pranimin e fajësisë nga i akuzuari nuk e ka kundërshtuar prokurori Besart Mustafa dhe më pas e ka aprovuar gjykatësi Hoti.

Sipas aktakuzës së ngritur më 11 tetor 2019, S. Sopa akuzohet se më 16 gusht 2019, rreth orës 18:37, në fshatin Letanc, Komuna e Podujevës, pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, ka mbajtur në pronësi armën e zjarrit të tipit “Ecol Special 99”, me kalibër 9 milimetër dhe armën e tipit “Ekol ALP”, me kalibër 9 milimetër, dy karikatorë, 50 copë fishekë të kalibrit 9 milimetër dhe 4 gëzhoja.

Në po të njëjtin dispozitiv të aktakuzës thuhet se ai ka përdorë armën në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm për armët, pasi që me armën e tij të tipit “Ekol ALP 99”, ka shtënë katër herë në ajër gjatë një ahengu familjar, e të cilat armë dhe municion pas kontrollit nga pjesëtarët e policisë së Kosovës, i janë gjetur dhe sekuestruar.

Me këtë, ai akuzohet për veprat penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 374m paragrafi 1 në bashkim real me veprën penale “përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, nga neni 375 të KPRK-së.