Çështja e luanit të kontrabanduar në Gjilan kalon në Prokurori

Çështja e luanit të kontrabanduar në Gjilan kalon në Prokurori

Kronika December 13, 2019 - 19:21
Detajet

Çështja e luanit që është mbajtur i mbyllur në kafaz dhe kushte jo të mira në Stanaj të Gjilanit ka kaluar në Prokurori.

Për luanin që në Kosovë ka hyrë i kontrabanduar është krijuar një grup punues nga Ministria e Mjedisit bashkë me institucionet e tjera, njofton Klan Kosova.

“Qëllimi i formimit të këtij grupi punues është mbledhja e informatave relevante dhe shqyrtimi i bazës ligjore kombëtare dhe ndërkombëtare që rregullon mbajtjen dhe internimin e kafshëve të egra të mbrojtura”, thuhet në njoftimin e kësaj ministrie.

Me iniciativën e AMMK-së, është formuar Grupin Punues ndërinstitucional, ku krahas përfaqësuesve nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, janë përfshirë edhe përfaqësues nga Agjencioni i Veterinës dhe Ushqimit – AVUK dhe nga Organizata Pylli i Arinjve.

“Grupi punues është duke e analizuar rastin në fjalë por meqenëse sipas zyrtarëve doganorë kjo çështje ka kaluar në Prokurori atëherë do të merret për bazë edhe opinioni i prokurorisë”.

Përndryshe lloji i luanit (Panthera leo) është kafshë e huaj për territorin e Kosovës, por është i mbrojtur me ligje kombëtare dhe ndërkombëtare, andaj çdo përpjekje për mbajtjen e tij duhet kaluar nëpër procedura ligjore dhe çdo shmangie eventuale e këtyre procedurave, sanksionohet sipas legjislacionit në fuqi.