Kallëzimi penal ndaj tre policëve dhe tmerri që përjetuan dy qytetarët që festuan fitoren e Vetëvendosjes

Kallëzimi penal ndaj tre policëve dhe tmerri që përjetuan dy qytetarët që festuan fitoren e Vetëvendosjes

Kronika December 13, 2019 - 20:05
Detajet

Nata festive e 6 tetorit ishte kthyer në një natë tmerri për Arben Ademin dhe Diamant Hetemin nga Shtimja. Gjithçka kishte nisur kur një patrullë policore i kishte ndaluar ata shkaku i vozitjes dhe i kishte udhëzuar të vazhdonin direkt në Stacionin Policor në Shtime. Atje, dyshohet se ishin sulmuar fizikisht nga tre policë.

Arben Ademi dhe Diamant Hetemi po festonin rezultatin e zgjedhjeve të përgjithshme të 6 tetorit rreth orës 21:00 në qytetin e Shtimes.

Mirëpo, nata festive ishte kthyer në një natë tmerri për Ademin dhe Hetemin. Gjithçka kishte nisur kur një patrullë policore i kishte ndaluar ata shkaku i vozitjes dhe i kishte udhëzuar të vazhdonin direkt në Stacionin Policor në Shtime.

Atje, dy qytetarët ishin keqtrajtuar fizikisht nga tre zyrtarët policorë të këtij stacioni: Adnan Ramadani, 39-vjeç, Afrim Rexhepi, 42 vjeç dhe Mehmet Beqaj, 52 vjeç.

Pas rreth dy muajve nën hetime, ndaj dy rreshterëve dhe zyrtarit policor është ngritur kallëzim penal nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të “Keqtrajtimit gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare” pranë Prokurorisë Themelore të Ferizajt.

Insajderi ka siguruar këtë dokument, i cili përmban dëshmi – deklarata të viktimave, të të dyshuarve dhe dëshmitarëve – të natës së tmerrit që kishin përjetuar Arben Ademi dhe Diamant Hetemi më 6 tetor.

Në deklaratën e tij, viktima Arben Ademi rrëfen se si kishte filluar incidenti. Tregon se arsyeja pse ai kishte filluar të konfrontohet me policët, ishte pasi që tre zyrtarët policorë kishin filluar ta godisnin mikun e tij, Diamantin, pa ndonjë arsyeje.

Po ashtu, ai thotë se përveç keqtrajtimit që i kishin bërë zyrtarët policor gjatë dhe pas arrestimit në oborrin e stacionit të policisë në Shtime, keqtrajtimet kishin vazhduar edhe pasi që ai ishte vendosur në njërën nga zyrat e stacionit Policor Shtime, ku edhe pse i prangosur ishte keqtrajtuar fizikisht nga tre policët.

Image

Ndërkaq, i intervistuar më 10 tetor, viktima tjetër, Diamant Hetemi tregon se ishte keqtrajtuar nga zyrtarët policorë Adnan Ramadani dhe Afrim Rexhepi, e po ashtu brenda Stacionit Policor – teksa kishte qenë i prangosur – ishte goditur me grushte dhe shqelma nga i dyshuari tjetër, 52-vjeçari Mehmet Beqaj.

Ademi dhe Hetemi ishin përgjakur nga sulmet fizike të tre policëve, shfaqin fotografitë nga vendi i ngjarjes.

“Përmes fotografive pasqyrohet gjendja e personave të keqtrajtuar si dhe gjendja e zyrës ku kishin qenë të vendosur personat e arrestuar nga persona ku shihen njolla të shumta gjaku në dysheme dhe mure të zyrës”, thuhet në kallëzimin penal, i cili i referohej Dosjes së Forenzikës teksa përshkruan situatën e vend-ngjarjes.

Më 15 tetor 2019, në cilësinë e dëshmitarit është intervistuar edhe radio-komunikuesi i Stacionit Policor në Shtime, Esad Haxhiu.

Haxhiu, në deklaratën e tij lidhur me momentin kur rreshter Mehmet Beqaj e kishte shoqëruar viktimën, Diamant Hetemin, brenda zyrës së intervistave ndër të tjera deklaron: “Me aq sa unë kam pare në beze të kohës dhe videos që e pamë, rreshteri Mehmet Beqa e ka vendosur personin në njërin qosh të zyrës ku e ka goditur dy apo tri here me shuplakë fytyrës dhe më pas jam largu.”

Në pyetjen nëse kishte parë ndonjërin nga zyrtarët policorë duke e goditur personin, Arben Ademi, rrëfen çka kishte dëgjuar nga momenti i sulmeve.

“Jo unë nuk i kam parë duke goditur. Mi pas pa kishte tregu qysh tregova edhe për rreshter Mehmetin, me pa nuk kam pa, por e kam dëgjuar Diamantin duke fol me zë të lartë ‘o bollni se e mbytët bre’ dhe në të njëjtën kohë duke i tërhequr vërejtjen shokut të tij të mos flas, por që nuk i kam pa se cili nga zyrtarët policor ka qenë ato momente në zyrë”, ka rrëfyer ai.

Mëngjesin e 7 tetorit, Arben Ademi dhe Diamant Hetemi ishin shtrirë në Klinikën Maksillofaciale të QKUK-së. Ademi i ishte nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjike.

Ndërkaq, më 9 tetort, tre zyrtarët policorë: Adnan Ramadani, Afrim Rexhepi dhe Mehmet Beqaj ishin suspenduar nga detyra me rekomandim të Inspektoratit Policor.

Pas deponimit të këtij kallëzimi penal, tre zyrtarët policorë do të përballen me drejtësinë lidhur me dyshimet për keqtrajtimin fizik të dy viktimave.