Leshak: Rrëmbehet dhe rrihet pronari i veturave të djegura një javë më parë

Leshak: Rrëmbehet dhe rrihet pronari i veturave të djegura një javë më parë

Kronika December 14, 2019 - 08:05
Viktimës i është dhënë ndihma mjekësore në QKMF
Image

Dy persona, V.S. (1975) dhe V.D. (1983), nga Leposaviqi e kanë rrahur brenda lokalit “Cezar” në Leshak T.S. (1975) nga Novi Pazari, të enjten pasdite, e kanë futur me forcë në veturën e tyre dhe janë përpjekur ta dërgojnë përtej kufirit në Jarinjë, por Policia ka arritur t’i ndalojë. T.S. ka marrë trajtim mjekësor në Qendrën Spitalore në veri të Mitrovicës, ndërsa rrëmbyesit kanë ikur këmbë përtej kufirit për në Serbi, shkruan gazeta "Zëri".

Një javë pasi i janë djegur dy vetura, njëra e markës “Passat” ngjyrë e bardhë, me tabela të Shabacit të Serbisë dhe tjetra “Reno Megan” ngjyrë e kaltër me regjistrim të Beogradit, pronari i tyre T.S. nga Novi Pazari është rrëmbyer nga dy persona gjithashtu në Leshak të Leposaviqit. Personat e dyshuar e që sipas Policisë janë V.S. (1975) dhe V.D. (1983), e kanë zënë T.S. (1975) nga Novi Pazari në kafenenë “Cezar” në Leshak, të cilin e kanë rrahur dhe pastaj e kanë nxjerrë nga lokali dhe e kanë detyruar të hyjë në veturën e tyre e janë nisur në drejtim të pikës kufitare në Jarinjë. Policia ishte vënë prapa tyre dhe ka arritur ta ndalë automjetin e rrëmbyesve me gjithë viktimën.

Zëdhënësi i Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës për veriun, Branisllav Radoviq, ka konfirmuar për “Kossev”-in se viktima është nxjerrë nga vetura e rrëmbyesve dhe është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Spitalore në veri të Mitrovicës. “Policisë në Stacionin e Leposaviqit i ka arritur një informatë të enjten, në orët e pasdites, se të dyshuarit V.S. (1975) dhe V.D. (1983) kanë rrahur T.S. (1975) nga Novi Pazari në lokalin ‘Cezar’ në Leshak dhe se ata e kanë futur në automjetin e tyre dhe janë drejtuar nga vendkalimi kufitar në Jarinjë. Patrulla policore në afërsi të kufirit ka hasur në automjetin ‘Toyota Land Cruiser’ ngjyrë ari, me regjistrim të Beogradit. Në automjet janë gjetur të dyshuarit dhe viktima, i cili me kërkesë të Policisë ka dalë nga automjeti i rrëmbyesve dhe ka hyrë në automjetin e Policisë. Gjatë asaj kohe të dyshuarit janë përpjekur të ikin me veturë në drejtim të Serbisë, por kanë hasur në kolonë të gjatë të automjeteve, për ç’arsye kanë ndalur veturën dhe këmbë kanë filluar të ikin në drejtim të Serbisë”, ka shpjeguar Radoviq.

Ai ka njoftuar se viktimës i është dhënë ndihma mjekësore fillimisht në QKMF-në e Leposaviqit e pastaj është dërguar në QS në veri të Mitrovicës. Pas trajtimit mjekësor T.S. është dërguar për të dhënë deklaratë në Stacionin e Policisë në veri të Mitrovicës dhe se me kërkesë të tij është liruar për në shtëpi. Policia kishte informacione se edhe T.S., viktima e këtij rasti është duke u kërkuar nga MUP-i i Serbisë për shkak të dyshimit se ai i përkiste një formacioni të sigurisë.

“Policia i ka ofruar viktimës mbrojtje dhe strehim të sigurt, por ai ka refuzuar me arsyetimin se dëshiron që policia të dërgojë në shtëpinë e tij në Leshak dhe se do të kërkojë ndihmë nëse i nevojitet. Në vendin e ngjarjes në Leshak, në lokalin ‘Cezar’ kanë dalë ekipet hetuese bashkë me zyrtarë policorë të stacionit të Leposaviqit, të cilët janë përpjekur të gjejnë të dyshuarit në adresat e tyre të shtëpive, por nuk kanë arritur”, ka sqaruar zëdhënësi i Policisë Rajonale në veri të Mitrovicës, Branisllav Radoviq.

Prokurori i shtetit rastin e ka regjistruar si “Rrëmbim”, derisa hetimet janë duke u zhvilluar.

Para një jave, saktësisht të shtunën e kaluar në orët e hershme të mëngjesit në rrugën “Vëllezërit Matoviq” në komunën e Leposaviq ishte shkaktuar një zjarr në të cilin ishin përfshirë dy vetura, njëra e markës “Passat” ngjyrë e bardhë me tabela të Shabacit të Serbisë dhe tjetra “Reno Megan” ngjyrë e kaltër me regjistrim të Beogradit, që të dyja ato pronë e T.S. (1975) nga Novi Pazari. Pronari i këtyre veturave dyshohet të jetë person në kërkim nga Policia e Serbisë, për shkak të përfshirjes së tij në disa veprave kriminale, por Policia e Kosovës nuk ka dhënë hollësi për këtë.

“Në vetura është shkaktuar dëm material, derisa prokurori i këtij rasti e ka regjistruar atë si zjarrvënie e qëllimshme derisa hetimet do ta zbardhin rastin”, pati thënë zëdhënësi rajonal i veriut Branisllav Radoviq, i cili edhe para një jave nuk mundi t’i konfirmojë informacionet jozyrtare sipas të cilave MUP-i serb kishte shpallur fletarrestim për ankuesin T.S., për shkak se siç thuhet, “personi ka qenë pjesëtar i një prej formacioneve të sigurisë”./ZËRI