Breshëri plumbash në një lokal në qendër të Prishtinës

Breshëri plumbash në një lokal në qendër të Prishtinës

Kronika January 17, 2020 - 18:08

Dy persona të panjohur ende për policinë, te enjten rreth orës 02:30, nga parkingu kanë sulmuar me një breshëri plumbash zyrat e kompanisë së marketingut digjital “Pixie Group” që ndodhen në lagjen Dardania të Prishtinës.

Rastin e ka njoftuar Policia e Kosovës, të premten, në raportin 24 orësh.

Në vendngjarje, sipas Policisë, u gjeten 12 gëzhoja plumbash, një pjesë e të cilave përfunduan në xhamat e lokalit të kompanisë që u sulmua.

“Përveç dëmeve materiale, nuk raportohet për të lënduar”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Gëzhojat që u gjeten në vendin e ngjarjes, siç mëson Gazeta Online “Reporteri” dyshohet se janë, një pjesë të një arme të gjatë automatike dhe të tjerat të një pistolete.

Përveç lokalit të ‘Pixie Group’, Reporteri.net ka marrë vesh se me të njëjtat armë të zjarrit, dy të dyshuarit, gjatë shkrepjes së plumbave, dëmtuan edhe dy vetura të tipit ‘Mercedes’ që ndodheshin në parkingun përballë ku ndodhi sulmi.

Gazeta Online “Reporter” ka arritur të sigurojë edhe pamje të momentit ku ndodhi sulmi ndaj zyrave të kompanisë ‘Pixie Group’ në Prishtinë. Në to shihen sulmuesit e armatosur derisa shkrepin plumbat në drejtim të biznesit që ndodhet në një nga lagjet e qendrës së Prishtinës, dhe pastaj largohen me vrap nga vendi i ngjarjes.