Mungon prokurori, dështon gjykimi për konflikt interesi ndaj kryetarit të Istogut

Mungon prokurori, dështon gjykimi për konflikt interesi ndaj kryetarit të Istogut

Kronika January 21, 2020 - 10:52

Për shkak të mungesës së prokurorit Ali Uka, sërish ka dështuar të mbahet seanca e së martës, ndaj kryetarit të Istogut, Haki Rugova, i cili akuzohet për konflikt interesi.

Rugova akuzohet lidhur me një tender në vlerë prej rreth 300 mijë euro, të cilin sipas prokurorisë, e ka fituar kompania që udhëhiqet nga vëllai i tij, Gani Rugova, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Rugova duke vepruar si kryetar i Komunës së Istogut, më 1 gusht 2014, sipas aktakuzës, ka nënshkruar kontratë me kompaninë “Ma-Con” sh.p.k. për ndërtimin e kanalizimit për fshatrat Cercë dhe Lubozhdë.

Sipas kryetarit të trupit gjykues Sylë Lokaj, prokurori Uka e kishte njoftuar gjykatën se në seancën e së martës nuk mund të jetë i pranishëm për shkak të angazhimit në një seancë tjetër në Gjykatën Themelore në Gjakovë.

Në seancën e së martës, nuk ishte i pranishëm i akuzuari Rugova, për mungesën e të cilit nuk është dhënë arsyetim, derisa prezent ishte avokati i tij, Besnik Berisha.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 10 mars 2020, nga ora 10:00.

Edhe seanca e paraparë të mbahej më 10 dhjetor 2019, kishte dështuar për shkak të mungesës së prokurorit Uka.

Ndryshe, në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur me 17 janar 2019, i akuzuari Haki Rugova ishte deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzën për korrupsion.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, të ngritur më 26 mars të vitit 2018, Haki Rugova akuzohet se duke vepruar si kryetar i Komunës së Istogut, më 1 gusht 2014, ka nënshkruar kontratë me kompaninë “Ma-Con” sh.p.k. për ndërtimin e kanalizimit për fshatrat Cercë dhe Lubozhdë.

Sipas aktakuzës, në momentin e lidhjes së kontratës për kryerjen e punëve ndërtimore në mes Komunës së Istogut dhe kompanisë “Ma-Con” sh.p.k. drejtor i firmës ka qenë Gani Rugova dhe çmimi i kontratës ka qenë 289.119.85 euro.

Organi i akuzës pretendon se me anë të këtyre veprimeve, i akuzuari Rugova, i ka mundësuar vëllait të tij, Gani Rugovës, interes financiar, andaj e akuzon se ka kryer veprën penale të konfliktit të interesit.

Fillimisht kjo lëndë ishte dërguar në Prokurorinë Themelore në Pejë, përkatësisht ajo i ishte deleguar prokurorit Haxhi Sinanaj.

Por, ky i fundit, më 17 janar 2018, me shkresë i ishte drejtuar kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ali Selimaj, dhe pas konsultimit me kryeprokurorin e Prokurorisë së Apelit, Haxhi Derguti, si dhe Agim Kurmehaj, lënda është deleguar në Prokurorinë Themelore në Gjakovë.

“Arsyeja e dërgimit në kompetencë të kësaj çështjeje juridike penale për të pandehurin Haki Rugova, është fakti se me të njëjtin që një kohë të gjatë njihemi dhe jemi në raporte shoqërore, andaj për të qenë një hetim i drejtë dhe i pavarur, pas konsultimit me kryeprokurorin e Apelit dhe kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, jemi dakorduar që këtë çështje penale ta dërgojmë në kompetencë të Prokurorisë Themelore në Gjakovë”, kishte shkruar prokurori Haxhi Sinanaj.

Ndryshe, Haki Rugova, në zgjedhjet lokale të vitit 2017, kishte fituar edhe një mandat tjetër, për herë të tretë, në krye të Komunës së Istogut.