E konfirmon PK-ja: Disa zyrtarë policorë janë vetizoluar

E konfirmon PK-ja: Disa zyrtarë policorë janë vetizoluar

Kronika March 30, 2020 - 14:21
Image

Përkundër masave të rrepta të vendosura nga Qeveria e Kosovës në luftën për mbrojtje dhe parandalim të përhapjes së virusit COVID-19, Policia e Kosovës vazhdon të jetë në vijën e parë të fronit të përballjes me këtë gjendje. Së fundmi ekzekutivi ka vendosur që për ta të ketë një shtesë prej 300 euro, teksa ka prej policëve që tashmë janë futur në vetizolim

Policia e Kosovës ka bërë të ditur për gazetën “Zëri”, që pavarësisht që zyrtarët policorë qysh nga shfaqja e pandemisë COVID-19, kanë qenë në krye të detyrës, deri më tani asnjë prej tyre nuk është prekur nga ky virus. Megjithatë ka disa policë që u është rekomanduar vetizolimi.

“Deri me tani fatmirësisht, asnjë zyrtar nuk është i infektuar me Koronavirus, ka disa zyrtar që janë sugjeruar për vetë izolimi dhe izolimi i detyruar ka rrjedhe me rekomandim te Ekipeve Mjekësorë neper pikat kufitare, ( pas ardhjes se tyre nga vende te ndryshme si ; Zvicër, Londër, Serbi, Amerike, Gjermani etj.). Çdonjëri prej tyre ka Udhëzimet nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik dhe nga Ekipet Mjekësore ne pikat Hyrëse te Kosovës .

Ne këto udhëzime i kane sqarimet ; Sa kohe kane me qëndruar ne Vetë karantinë, se si duhet te vetë izolohen dhe sa munden me pas kontakt me te tjerët dhe këshilla te tjera te nevojshme, komfor ndryshimit te situatës se krijuar shëndetësore”, bëhet e ditur në përgjigjet e Zyrës për Informim në PK, dhënë gazetës “Zëri”.

“Policia e Kosovës (PK), referuar vendimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës, si dhe referuar Planit të gatishmërisë dhe reagimit kundër Coronavirus të ri COVID-19, ka hartuar me kohë urdhrin operativ policor të quajtur “UO për Gatishmëri dhe Reagim për Coronavirus-in COVID-19”. Policia e Kosovës është pjesë e komisionit shtetëror për menaxhim dhe parandalim të Koronavirus, dhe të gjitha aktivitetet dhe masat e deritanishme janë ndërmarrë në koordinim të plotë me të gjitha institucionet kompetente në fushën e shëndetësisë dhe institucioneve tjera relevante, konform edhe angazhimeve dhe detyrave sipas planit për gatishmëri dhe reagim”, bëhet e ditur në përgjigjet e Zyrës për Informim në Policinë e Kosovës dhënë gazetës.

Sipas tyre ky urdhër ka për qëllim koordinimin e aktiviteteve së bashku me institucionet kompetente për ta luftuar këtë virus.

“Urdhri operativ i PK-së, ka për qëllim bashkëpunimin dhe koordinimin e aktiviteteve me institucionet qendrore dhe lokale që janë kompetent për luftimin, preventivën e rreziqeve nga virusi në fjalë si dhe përballjen me situatat të këtij lloji, në drejtim të koordinimit dhe reagimit me kohë. Policia e Kosovës me qëllim të mbrojtjes të të gjithë zyrtarëve policorë dhe në veçanti zyrtarëve në pikat kufitare, në lidhje me situatën rreth Koronavirusit ka ndërmarrë masat të menjëhershme përmes aktiviteteve nga Drejtoria e Shërbimeve Shëndetësore e Policisë siç janë: (Dezinfektimi, Dezinsektimi dhe Deratizimi) në të gjitha pikat kufitare, stacioneve dhe objekteve policore proces i cili është në vazhdim”, thuhet ndër të tjera atu.

E puna e PK-së është duke vazhduar me orare të zakonshme, e ndonjëherë edhe me orar të zgjatur. Nga ky institucion i është thënë gazetës se një numër i zyrtarëve policor është liruar nga puna si pasojë e sëmundjeve që kanë.

“Policia e Kosovës, po vazhdon punën e saj me orare të zakonshme dhe sipas nevojës dhe planifikimeve me orar te zgjatur me qellim te realizimit te detyrave dhe përgjegjësive te saja ligjore si dhe zbatimin e vendimeve te Qeverise se RKS-se. Një numër i zyrtareve policor te cilët kane sëmundje te renda dhe një pjese e stafit civil janë liruar, përderisa një pjese e tyre sipas nevoje kryejnë detyra administrative përmes pajisjeve elektronike”, bëhet e ditur nga policia. /ZËRI