Shembet një shtëpi e vjetër në Prizren, lëndohen dy persona

Shembet një shtëpi e vjetër në Prizren, lëndohen dy persona

Kronika May 29, 2020 - 16:21

Janë lënduar dy persona si pasojë e shembjes së një shtëpie në Prizren.

Arsye e shembjes së kësaj shtëpie ishte vjetërsia e saj.

Kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, me të marrë vesh lajmin, ka dalë në vendin e ngjarjes prej ku ka kërkuar nga ekipet e Drejtorisë së Emergjencës, Inspektoratit dhe atyre të Trashëgimisë Kulturore, të verifikojnë gjendjen dhe të marrin hapat e mëtutjeshme për evitim të rrezikut, përcjell “Zëri”.

Ai në “Facebook” po ashtu ka publikuar edhe pamje të shtëpisë së shembur.

“Rreziku nga shembja e shtëpive të vjetra është problem ekzistent, jo vetëm në këtë shtëpi, por edhe në shumë shtëpi të vjetra, të cilat për shkak se kanë vlera të trashëgimisë kulturore apo gjenden në qendrën historike, nuk mund të rrënohen tërësisht, e në anën tjetër për shkak të mungesës së mjeteve financiare nuk mund as të rinovohen”, ka shkruar Haskuka.