Brenda 24 orëve 112 personave u janë ngritur aktakuza

Brenda 24 orëve 112 personave u janë ngritur aktakuza

Kronika June 03, 2020 - 12:57

Për 24 orë Prokuroria e Shtetit njofton se nga gjashtë prokuroritë themelore në vend janë ngritur 84 aktakuza kundër 112 personave. Po me urdhër të Prokurorit të Shtetit, 6 persona janë ndalur për 48 orë, si dhe janë bërë dy kërkesa për caktim të paraburgimit ndaj tre personave.

Me urdhër të prokurorit kujdestar, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ndaluar 3 persona, ka caktuar paraburgim për një person, si dhe ka ngritur 22 aktakuza ndaj 33 personave. Në Prizren Prokuroria ka caktuar masë të arrestit shtëpiak për 2 persona për veprën penale “Dhunë në familje”. Ndërsa ka ngritur 9 aktakuza ndaj 16 personave për vepra të ndryshme penale, përcjell “Zëri”.

Ajo e Pejës ka ndaluar 1 person, i dyshuar për sulm ndaj personit zyrtar, me ç’rast Prokurori i Shteti ka vendosur që i dyshuari të dërgohet në ndalim për 48 orë. 21 aktakuza janë ngritur kundër 24 personave në këtë komunë.

Në Gjilan gjatë 24 orëve të fundit Prokuroria Themelore ka ndaluar 1 person për 48 orë dhe ka ngritur 4 aktakuza ndaj po aq personave. Edhe ajo e Gjakovës ka ndaluar një person për 48 orë; në Mitrovicë me urdhër të prokurorit kujdestar janë ngritur 21 aktakuza ndaj 27 personave, ndërsa në fund të raportit thuhet se Prokuroria Themelore në Ferizaj ndaj 8 personave ka ngritur 7 aktakuza, përcjell “Zëri”.