Policia jep detaje për rastin e Veron Hasanit

Policia jep detaje për rastin e Veron Hasanit

Kronika June 04, 2020 - 16:18

Policia e Kosovës ka njoftuar se ndaj aktivistit Veron Hasani, i cili gjatë ditës së djeshme u shoqërua në polici për ‘prishje të rendit dhe qetësisë publike’, ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme konform autorizimeve ligjore që kanë.

Përmes një komunikate për media, PK-ja ka raportuar se Hasanit i është ofruar trajtim mjekësor si dhe i është caktuar një avokat mbrojtës.

“Personit të shoqëruar në stacionin policor i është ofruar trajtimi mjekësor si dhe sipas detyrës zyrtare i është caktuar avokati mbrojtës. Njëkohësisht lidhur me veprimet e zyrtarëve policorë, sipas dispozitave të parapara ligjore, është informuar Inspektorati Policor për trajtim dhe kompetencë të mëtejme të rastit”, ka bërë të ditur Pk-ja në këtë komunikatë.

Dje në orët e pasdites, derisa presidenti Hashim Thaçi po mbante një konferencë për media në oborrin e Kuvendit, një person, që më vonë u konstatua se bëhet fjalë për Veron Hasanin, aktivist i LVV-së, e kishte quajtur të parin e shtetit “hajn”. Me këtë rast, mbrojtja e afërt e presidentit kishte reaguar duke e kapur atë, e më pas edhe zyrtarë policorë kishin intervenuar, duke e shoqëruar të njëjtin në stacion policor.

Hasani ndërkaq, sipas avokatit Tomë Gashi, ka hapur rast penal ndaj truprojave të Presidentit Thaçi në Inspektoratin Policor të Kosovës.