Paraburgoset personi që ngacmoi togerin serb të FSK-së në “Facebook”

Paraburgoset personi që ngacmoi togerin serb të FSK-së në “Facebook”

Kronika June 05, 2020 - 15:58

Gjykata Themelore në Gjilan i ka caktuar një muaj paraburgim një personi të dyshuar për veprën penale “ngacmim”.

I dyshuari në rrjetin social “Facebook”, e ka shqetësuar Z.S i cili është Toger në FSK, duke i publikuar fotografi të ish-komandantit të UÇK-së, njëherësh kreut të AAK-së Ramush Haradinajt, me uniformë ushtarake.

Gjë pas së cilës, viktima e ngacmimit është linçuar publikisht nga persona të ndryshëm në këtë rrjet social po ashtu edhe është kërcënuar, përcjell “Zeri.info”.

LEXO EDHE: Kërcënohet togeri serb i FSK-së pasi një serb tjetër ia poston foton e tij me uniformë ushtarake në “Facebook”

“I pandehuri D. P. (serb), duke dashur të shqetësoj të dëmtuarin Z. S. (serb), Toger në Forcën e Sigurisë së Kosovës, përmes rrjetit social Facebook, publikon fotografi të ish-komandantit të UÇK-së Ramush Haradinaj me uniformë ushtarake, si dhe uniformë dhe flamuj të FSK-së, ku pas këtij publikimi i njëjti ka pranuar mesazhe kërcënuese, fyese dhe degraduese për integritetin e tij dhe të familjes, duke u linçuar publikisht nga persona të ndryshëm përmes rrjetit social”, thuhet në komunikatë.

Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Përgjithshëm, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi që masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme dhe papërshtatshme

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.