Grabitje si nëpër filma aksion në Komoran

Grabitje si nëpër filma aksion në Komoran

Kronika July 02, 2020 - 14:36

Në orët e hershme të mëngjesit të sotëm është kryer një grabitje në Komoran, grabitje kjo e ngjashme me skenat e filmave aksion holivudianë, ku persona të panjohur me mjet shpërthyes kanë realizuar një vjedhje në një bankomat.

Flora Ahmeti, zëdhënëse në Policinë e Kosovës, për “Zërin” ka thënë se pas marrjes së informacionit strukturat rajonale për hetimin e krimit me një intensitet të shtuar kanë filluar ndërmarrjen e një varg veprimesh operative dhe hetimore, shkruan “Zëri.info”.

Ajo ka treguar se si grabitësit e realizuan veprën duke përdorur mjet shpërthyes.

“Duke u mbështetur në rezultatet e para të grupit hetimor që po zhvillon hetimet lidhur me rastin në fjalë, dyshohet se kjo grabitje është realizuar duke dëmtuar bankomatin me një mjet shpërthyes, ku më pas është grabitur një sasi e parave. Aktualisht policia po punon me përkushtim për të identifikuar personat e dyshuar dhe vendndodhjen e tyre”, tha për “Zërin” Ahmeti.