Flet e mbijetuara e ngjarjes horror në Tiranë: Motra ndenji 52 ditë pa ngrënë, ne agjëruam për ta kthyer motrën në jetë

Flet e mbijetuara e ngjarjes horror në Tiranë: Motra ndenji 52 ditë pa ngrënë, ne agjëruam për ta kthyer motrën në jetë

Kronika July 06, 2020 - 15:13

Detaje tronditëse kanë dalë nga dëshmia e Blerta Josifit, e mbijetuara e vetme e tragjedisë së vetëflijimit në Kombinat, Tiranë, ku u gjetën të vdekura nëna Zhaneta dhe vajza e saj Anisa Josifi.

Burime ekskluzive për Top Channel, bëjnë me dije se vajza e mbijetuar ka pohuar se motra e saj, Anisa, ka vdekur 15 muaj më parë, pikërisht më datë 27 mars 2019. Ndërkohë sipas vajzës, mamaja e saj ka gjetur vdekjen më 2 korrik të këtij viti.

“Motra vdiq më 27 mars të vitit 2019. Mami më 2 korrik të këtij viti”, mësohet të ketë thënë Blerta.

Më tej Blerta Josifi ka thënë se motra e saj kishte 52 ditë pa ngrënë dhe pikërisht kjo dyshohet t’i ketë sjellë edhe vdekjen.

“Motra ime, Anisa qëndroi 52 ditë pa ngrënë e pa pirë. Në mars të 2020 nisëm edhe ne me agjërimin, pinim vetëm ujë, donim të bënim sakrificë të kthenim motrën në jetë. Përpara se motra të linte ushqimin e pushtuan demonët dhe krizat nervore. Nuk i treguam askujt. Ditën që mami ndërroi jetë, u ul në gjunjë të lutej”, ka thënë ndër të tjera Blerta Josifi.

Top-Channel bën me dije se në banesën e familjes Josifi janë gjetur disa libra dhe shënime të një sekti fetar. Ndërkohë policia ka thirrur edhe disa teologë të cilët pritet të hedhin dritë se çfarë do të thonë këto shënime dhe kujt sekti fetar i përkasin.

Të njëjtat burime bëjnë me dije se familja frekuentonte Kishën Ungjillore por kishte 5 vite që nuk shkonin më. Sipas dëshmisë së Blertës, 5 vite më parë ata e braktisën Kishën Ungjillore, ‘për të gjetur vetë rrugën e Zoti.’

Top Channel ka siguruar foto të motrave Josifi Anisa dhe Blerta.

Image

Anisa, trupi i të cilës u gjet gjysmë i dekompozuar, së bashku më të motrën Blertën rezulton se nuk kanë dalë kurrë nga vendi, sipas sistemit TIMS mëson Top Channel.

Por ndërkohë që brenda banesës kishin mbetur ende gjurmët e tragjedisë që u konsumua pas këtyre mureve, sot nisi edhe nxjerrja e objekteve nga banesa, mes tyre edhe dysheku ku u dergj e pajetë për muaj me radhë Anisa Josifi.

E ëma e saj, Zhaneta, dhe e motra Blerta, kishin vendosur edhe ventilator, për të larguar insektet dhe kundërmimin e rëndë nga trupi i pajetë i Anisës. Në shtratin e saj, vajza që u gjet gjysmë e dekompozuar, lyhej nga e ëma dhe e motra me vaj e uthull, në pritje të ringjalljes.

Siç u raportua më parë nga Top Channel, familja Josifi në kohën kur ishte në Përmet ishte angazhuar me Kishën Evangjeliste Norvegjeze, ndërkohë pas mbërritjes në Tiranë ata frekuentonin ambientet e sektit të “Dëshmitarëve të Jehovait”. Ata u larguan nga Përmeti rreth dy vjet më parë dhe me ardhjen në Tiranë u angazhuan me “Dëshmitarët e Jehovait”. Kjo vërtetohet edhe nga provat e gjetura nga policia në banesën e tyre në Kombinat.

Burime për Top Channel bëjnë me dije se në vendin e ngjarjes janë gjetur libra të tillë si “Kulla e Rojes”, botim ky i “Dëshmitarëve të Jehovait”.