Dibër, zjarri i del jashtë kontrollit, humb jetën nga asfiksia një person

Dibër, zjarri i del jashtë kontrollit, humb jetën nga asfiksia një person

Kronika August 09, 2020 - 20:16

Një burrë gjeti vdekjen në fshatin Bujkë të Matit këtë të diel si pasojë e asfiksisë. Sipas policisë, viktima është një 79-vjeçar me iniciale H. K., banues në qytetin e Burrelit.

Ai dyshohet se ndezi një zjarr për të pastruar tokën e tij në fshat, por flakët dolën jashtë kontrollit dhe zjarri mori përmasa të mëdha, duke djegur edhe një banesë po në pronësi të 79-vjeçarit, në të cilën nuk jetonte njeri. Në përpjekje për të shuar zjarrin, i moshuari dyshohet se u asfiksua nga tymi dhe për pasojë gjeti vdekjen.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po heton për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Drejtoria Vendore e Policisë Dibër, në njoftimin e saj për mediat, apelon për të gjithë banorët e qarkut që në asnjë rast të mos kryejnë pastrime me anë të djegies, duke rrezikuar jetën dhe pronën e tyre dhe të banorëve përreth. Policia fton qytetarët që të njoftojnë në numrin 112 apo në Komisariatin Dixhital për çdo rast të zjarrvënies duke garantuar anonimat të plotë dhe reagim të shpejtë e të paanshëm./tvklan.al