Një muaj paraburgim për nënën që deshi të mbysë djalin e saj 9-vjeçar

Një muaj paraburgim për nënën që deshi të mbysë djalin e saj 9-vjeçar

Kronika September 25, 2020 - 14:36

Gjykata Themelore në Pejë ka vendosur që të pandehurës Sh.H., e cila tentoi të mbysë djalin e saj 9-vjeçar me kabllo, ta dënojë me masën e paraburgimit prej një muaji.

“Më datë 22.09.2020, rreth orës 18:30, pikërisht në shtëpinë e dëshmitares M.T., tenton ta privojë nga jeta djalin e saj nëntëvjeçar, në atë mënyrë që përderisa po qëndronte për disa ditë tek shoqja e saj, këtu dëshmitarja, për t’i ndihmuar rreth gjendjes shëndetësore të saj, aty kishin shkuar disa fqinj dhe ishin ankuar në djalin e saj, këtu viktimën, se ky po u drejtohej me fjalë banale dhe po i ngacmonte fëmijët e tyre, veprim ky që e kishte shtyrë të pandehurën që më një kabull (gajtan) ta godiste djalin në pjesë të ndryshme të turpit, e më pas edhe t’ia vendosë rreth fytit duke e ngulfatur, por që në atë moment kishte ndërhyrë dëshmitarja, e cila kishte dëgjuar zërin e viktimës duke e thirrur dhe e kishte larguar këtë të fundit nga duart e nënës së tij, e i cili në ato momente po shkumonte nga goja”, bëhet e ditur në aktakuzë.

Sipas kësaj aktakuze, dyshohet se e pandehura ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë e mbetur në tentativë”.

“Të pandehurës i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji, pasi gjykata vlerësoi se ekziston dyshimi i bazuar se e njëjta e ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet dhe se kjo çështje është ende në fazën hetimore, për çka me gjetjen e të pandehurës në liri ekziston rreziku që e njëjta të ndikojë në dëshmitarë, të përsërisë veprën e njëjtë penale ose të përfundojë veprën penale të tentuar”, thuhet në njoftimin e Gjykatës. /Zëri