Një muaj paraburgim për pronarin e një kazinoje në Karaçevë

Një muaj paraburgim për pronarin e një kazinoje në Karaçevë

Kronika September 28, 2020 - 11:33

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke ia caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh të pandehurit D.H.

“Ekziston dyshimi i bazuar se prej muajit shtator 2019 e deri më datën 18 shtator 2020, në lokalin ‘Automate Club’, i cili ndodhej në zonën kufitare mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, përkatësisht në fshatin Karaçevë të komunës së Kamenicës, i pandehuri, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror e në kundërshtim me Ligjin e Lojërave të Fatit 06/L-155, në mënyrë të kundërligjshme ka organizuar lojërat e fatit, ashtu që ekzistojnë rrethana të mjaftueshme për të treguar se nëse i pandehuri gjendet në liri do ta përsërisë veprën penale ose mund të kryejë ndonjë vepër tjetër penale”, thuhet në komunikatën nga Gjykata Themelore e Gjilanit.

Theksohet se me këto veprime të pandehurit dyshohet të kenë kryer veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.

“Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Përgjithshëm, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, ndërsa masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale. Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit”, thuhet në komunikatë. /Zëri