Për të tretën herë me radhë dështon të vazhdojë gjykimi për korrupsion ndaj zyrtarit të Telekomit

Për të tretën herë me radhë dështon të vazhdojë gjykimi për korrupsion ndaj zyrtarit të Telekomit

Kronika October 22, 2020 - 14:37

Ka dështuar sërish të mbahet seanca gjyqësore në rastin ku për korrupsion, po akuzohet zyrtari i Telekomit të Kosovës, Fatmir Gjonbalaj.

Gjonbalaj po akuzohet se në cilësi të menaxherit te prokurimit në Telekomin e Kosovës, nuk ka zbatuar vendimin dhe urdhëresën e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), me ç’rast sipas aktakuzës, e ka dëmtuar këtë kompani në vlerë të përgjithshme prej 55,000.00 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Shkak i dështimit të seancës që ishte paraparë të mbahej këtë enjte në Gjykatën Themelore në Prishtinë, u bë mungesa e përqafuesit të Prokurorit të Shtetit si dhe e mbrojtësit së të akuzuarit, avokatit Agron Selimaj. Po ashtu, në seancë nuk ishte i pranishëm as vet i akuzuari Gjonbalaj.

Kryetarja e trupit gjykues për këtë rast, Nushe Kuka-Mekaj, tha se nga prokuroria ka pranuar një parashtresë në të cilën ishte arsyetuar mungesa e prokurorit për këtë seancë, për shkak të zgjedhjeve që ishin duke u mbajtur në Prokurorinë Themelore në Prishtinë për zgjedhjen e përfaqësuesit të kësaj prokurorie në Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Ndërsa edhe avokati Selimaj e ka njoftuar paraprakisht gjykatën se për shkaqe shëndetësore nuk mund të marr pjesë në seancën e së enjtes.

Në mungesë të kushteve ligjore, seanca u shty për 1 dhjetor 2020, ora 10:30.

Ndryshe, është kjo seanca e tretë me radhë që dështon të mbahet për këtë rast.

Paraprakisht, edhe seanca e paraparë të mbahej më 3 shtator 2020 ishte shtyrë në mungesë të anëtarit të trupit gjykues kurse seanca e caktuar të mbahej më 14 korrik 2020 ishte shtyrë shkaku i reduktimit të punës në gjykata si pasojë e pandemisë COVID-19.

Sipas aktakuzës së përpiluar me 15 gusht 2019, Fatmir Gjonabalaj, akuzohet se si menaxher i prokurimit në Telekomin e Kosovës, gjatë viteve 2014, 2015, 2016, ka tejkaluar kompetencat duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me ç’rast nuk i ka zbatuar vendimet e OSHP-së, gjatë ankesave të parashtruara nga operatori ekonomik të ofertuar për tenderin “Zgjerimin e rrjetit me fije optike në territorin e Republikës së Kosovës”.

Në aktakuzë thuhet se ai ka vepruar në kundërshtim me nenin 131 të LPP-së, nuk ka zbatuar vendimet e OSHP-së, me numër 58/15, të datës 3 mars 2015, vendimin me numër 58/15, të datës 2 prill 2015, me të cilin i shqiptohet gjobë në vlerë prej 30 mijë euro, e po ashtu për mos zbatim të urdhëresës PSH.nr. 191/16, të datës 16 gusht 2016, gjobitet me 25 mijë euro, ku si pasojë e mos zbatimit i shkakton dëm buxhetit të kompanisë publike, Telekomit të Kosovës, në shumë të përgjithshme në vlerë prej 55.000.00 euro, gjobë e shqiptuar nga OSHP për mos zbatim të vendimit dhe urdhëresës ku sipas ligjit ka qenë i detyruar.