Dënohen me burgim me kusht dy ish-drejtorët komunalë të Prizrenit

Dënohen me burgim me kusht dy ish-drejtorët komunalë të Prizrenit

Kronika January 18, 2021 - 14:25

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj dy ish- drejtorëve komunalë, Zenel Ahmetaj dhe Ertan Simitçi.

Dy ish-drejtorët në Drejtorinë për Ekonomi dhe Financa në Prizren janë dënuar për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës ose autoritetit zyrtar” me nga 6 muaj burgim me kusht, dënim i cili nuk do të ekzekutohet nëse në afatin e verifikimit prej një viti të akuzuarit nuk kryejnë vepër tjetër penale, transmeton “Zeri.info”.

Më poshtë gjeni njoftimin e plotë nga Gjykata Themelore e Prizrenit:

18 janar 2021 – Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, (trupi gjykues në përbërje: Ajser Skenderi kryetare, Luan Berisha dhe Fidan Hoxha anëtarë), ka shpallur aktgjykim dënues, ndaj të akuzuarve Z.A., dhe E.S., për shkak se:

I akuzuari Z.A., në periodën kohore janar – dhjetor të vitit 2015 në Prizren në cilësinë e U.D. drejtor në Drejtorinë për Ekonomi dhe Financa në Komunën e Prizrenit duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij zyrtare duke keqpërdorur pasurinë publike me qëllim që të përfitoj çfarëdo dobie për persona tjerë juridik TV Opinion, TV Besa dhe TV Prizreni, duke mos e përmbushur detyrën e përcaktuar me ligj në atë mënyrë që pa ndonjë procedurë të tenderimit në kundërshtim me ligjin e prokurimit publik nr. 04/L41, ligjin mbi menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësive nr.03-L/48 si dhe rregulloren e thesarit 01/2013 lidh kontratë për emitimin e spoteve reklamuese për nevojat e Drejtorisë së Financave të Komunës së Prizrenit, me TV Opinion në periodën kohore prej 25.01.2015, deri më 31.12.2015 në vlerë prej 300 euro në muaj për 12 (dymbëdhjetë) muaj 3.600 eurove, me TV Besa për periodën kohore 20.01.2015, deri më 31.12.2015 në vlerë prej 300 euro në muaj, gjithsej për 12 (dymbëdhjetë) muaj 3.600 euro, dhe me TV Prizreni, për periodën kohore 20.01.2015, deri më 31.12.2016 në vlerë prej 300 euro në muaj për 12 (dymbëdhjetë) muaj, 3.600 euro, ashtu që për tri televizionet arrin shumën prej 300 euro.

Me këtë, ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoriteti zyrtar nga neni 422. Par. 1 lidhur me par. 2 nën par. 2.2 të KP-së.

I akuzuari E.S., në periodën kohore janar – dhjetor të vitit 2016, në Prizren në cilësinë e drejtorit në Drejtorinë për Ekonomi dhe Financa në Komunën e Prizrenit duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij zyrtare duke

keqpërdor pasurinë publike me qëllim që të përfitoj çfarëdo dobie për persona tjerë juridik TV Opinion, TV Besa, dhe TV Prizrenit, duke mos e përmbushur detyrën e përcaktuar me ligj në atë mënyrë që pa ndonjë procedurë të tenderimit në kundërshtim me ligjin e prokurimit publik nr. 04/L-41, ligjin mbi menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësive nr. 03/L-48 si dhe rregulloren e thesarit 01/2013, në atë mënyrë që pa ndonjë procedurë të tenderimit lidh kontrata për emitimin e spoteve reklamuese lidhur me senzibilizimin e opinionit publik rreth pagesave të tatimit në pronë në Komunën e Prizrenit, me TV Opinion për periodën kohore prej 01.01.2016, deri më 31.12.2016 në vlerë prej 300 euro në muaj për 12 (dymbëdhjetë) muaj 3.600 euro, me TV Besa për periodën kohore 01.01.2016, deri më 31.12.2016, në vlerë prej 300 euro në muaj gjithsej për 12 (dymbëdhjetë) muaj 3.600 euro, dhe me TV Prizreni për periodën kohore 01.01.2016 deri më 31.12.2016 në vlerë prej 300 euro në muaj për 12 (dymbëdhjetë) muaj 3.600 euro ashtu që për tri telivizionet arrin shumën prej 17.700 euro.

- me këtë ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 par. 1 lidhur me par. 2.1 dhe 2.2 të KP-së. Andaj Gjykata, në kuptim të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, të akuzuarve i‘u ka shqiptuar :

- Të akuzuarit Z.A., dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 (gjashtë) muaj, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse në afatin e verifikimit prej 1 (një) viti i akuzuari nuk kryen vepër tjetër penale.

- Të akuzuarit E.S., dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 (gjashtë) muaj, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse në afatin e verifikimit prej 1 (një) viti i akuzuari nuk kryen vepër tjetër penale.

Pas shpalljes së aktgjykimit, kryetarja e trupit gjykues ka njoftuar palët që brenda afatit ligjor të gjithë palët në procedurë do të pranojnë aktgjykimin e plotë në formë të shkruar dhe të arsyetuar.

Kundër këtij Aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.