Infektuar: 70185
Shëruar: 313132
Vdekur: 1616
Policia gjermane gjen drogë në vlerë prej 120 mijë eurove në veturën e kosovarit

Policia gjermane gjen drogë në vlerë prej 120 mijë eurove në veturën e kosovarit

Kronika January 25, 2021 - 15:44

Policia gjermane, më 20 janar, ka arritur të zbulojë 1.55 kg drogë metamfetaminë të kristaltë (crystal meth) në një veturë në Millingen të Rees, në North Rhine-Westphalia.

Vetura, e tipit “Opel Crossland X”, ishte e regjistruar në Hamburg, ndërsa po vozitej nga një kosovar 46 vjeç, i shoqëruar edhe nga një tunizian 55 vjeç.

I pyetur për arsyen e rrugëtimit, kosovari tha se e kishte vizituar tezën e tij në Venlo (në Holandë, që gjendet afër kufirit me Gjermaninë). Megjithatë, ai nuk ishte në gjendje të jepte vendin ku ajo jeton. Kurse tuniziani tha se ishte në Aachen, një qytet kufitar afër Belgjikës dhe Holandës.

“Në përgjithësi, dyshja ishte nervoze dhe e padurueshme”, shkroi policia federale në njoftimin për media.

Gjatë kontrollit pasues të veturës policët gjetën dy kënaçe me 1.55 kg drogë metamfetaminë të kristaltë dhe 11 tableta ekstazi. Droga ishte fshehur në pjesën e fshesave të xhamit të përparmë të veturës.

Edhe një thikë u gjet në pronësi të tunizianit.

Dyshja më pas u ndalua dhe u dërgua në Inspektoratin Federal Policor në Kleve (qytet në Gjermani). Pas përfundimit të procedurave policore rastin e mori përsipër Zyra e Hetimeve Doganore.

Vlera rrugore e narkotikëve është 120.000 euro. /Zëri