Një muaj paraburgim për policin që organizoi lojëra bixhozi në Gjilan

Një muaj paraburgim për policin që organizoi lojëra bixhozi në Gjilan

Kronika March 02, 2021 - 12:01

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke ia caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh të pandehurit B.R.

Sipas gjykatës, “ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri nga përfitimi i kundërligjshëm pasuror për vete ose për tjetrin i ka shkaktuar dëm ekonomisë së vendit, përkatësisht qytetarëve, duke cenuar sigurinë juridike, pasi nuk ka përfillur një ligj të autoritetit vendor dhe pa të drejtë ka organizuar, mundësuar ose ndihmuar veprimtarinë e kundërligjshme, aq më tepër kur kemi parasysh se i njëjti është zyrtar policor dhe është i vetëdijshëm se çdo lloj organizimi i lojërave të fatit është i kundërligjshëm. Me këto veprime i pandehuri B.R. dyshohet se ka kryer veprat penale ‘Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm’ dhe ‘Mashtrimi’, vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Në njoftim po ashtu thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Përgjithshëm, pas mbajtjes së seancës dëgjimore, me qëllim të sigurimit të kushteve sa më normale për zhvillimin e procedurës penale, ka caktuar masën e paraburgimit, duke konsideruar se nëse i njëjti gjendet në liri, do të fshehë, asgjësojë ose ndikojë në dëshmitarët.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit. /Zëri