Vazhdon aksioni “Subvencioni 2021”: Arrestohet zyrtari në Pejë, dyshohet se përfitoi 48 mijë euro

Vazhdon aksioni “Subvencioni 2021”: Arrestohet zyrtari në Pejë, dyshohet se përfitoi 48 mijë euro

Kronika March 02, 2021 - 14:16

Në vazhdën e operacionit “Subvencioni 2021”, Drejtoria e Krimeve Ekonomike ka arrestuar zyrtarin e Drejtorisë së Bujqësisë së Pejës, A.B. (emër i njohur për redaksinë).

Burime të besueshme të gazetës Express njoftojnë se zyrtari komunal dyshohet për përfitimin e 48 mijë eurove në mënyrë të kundërligjshme.

Sipas këtij burimi, zyrtarit të Drejtorisë së Bujqësisë i është bastisur mbrëmë shtëpia, por nuk janë gjetur paratë.

I njëjti është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë.

Lidhur me rastin gazeta Express ka kontaktuar kryetarin e Pejës Gazmend Muhaxherin, i cili tha se nuk ka njohuri për arrestimin e zyrtarit të Komunës. Mirëpo Muhaxheri konfirmoi se A.B. nga dita e djeshme nuk ka dalë në punë.

Aksioni policor “Subvencioni 2021” ka nisur javën e kaluar në Ministrinë e Bujqësisë në Prishtinë, për të vazhduar në disa lokacione tjera të vendit.

Nga ky aksion janë konfiskuar mbi 400 mijë euro, vetura, telefona, laptopë e kompjuterë.

Po ashtu janë prangosur 21 persona, shumica nga ta zyrtarë.