Paraburgoset nëna ferizajase që keqtrajtoi fëmijët e saj të mitur
Foto ilustruese

Paraburgoset nëna ferizajase që keqtrajtoi fëmijët e saj të mitur

Kronika April 12, 2021 - 16:51

Policia e Kosovës, në raportin e djeshëm 24 orësh, njoftoi se më 10 prill, një nënë nga komuna e Ferizajt kishte ushtruar dhunë ndaj dy djemve të saj të mitur, derisa këtyre të fundit i ishte ofruar tretman mjekësor dhe ishin dërguar në strehimore.

Ndërkaq sot, Gjykata Themelore e Ferizajt ia ka caktuar të pandehurës V.K një muaj paraburgim, shkruan Zeri.info.

“Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurës V.K. shtetase e Republikës së Kosovë Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Keqtrajtimi apo braktisja e fëmijës nga neni 243 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore.

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake i Divizionit Penal – Adem Shabani, ka vërtetuar faktin se pandehura më 08.04.2021 dhe 10.04.2021, ka ushtruar dhunë ndaj dy fëmijëve të vetë (të mitur),për çka të njëjtit kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa aktualisht janë strehuar në një strehimore në Ferizaj.

Në njoftimin e kësaj Gjykate theksohet se të pandehurës i është caktuar masa e paraburgimit për një muaj.

“Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtës i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji. Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij”, përfundon njoftimi. /Zëri/