Paraburgim një policit për keqtrajtim dhe arrest shtëpiak një personi tjetër për sulm ndaj personit zyrtar

Paraburgim një policit për keqtrajtim dhe arrest shtëpiak një personi tjetër për sulm ndaj personit zyrtar

Kronika April 13, 2021 - 16:33

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit për zyrtarin policor V.B. pasi dyshohet ta ketë kryer veprën penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare” dhe ndaj të dyshuarit tjetër A.Z. pasi dyshohet ta ketë kryer veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”.

Sipas njoftimit të Gjykatës, bëhet e ditur se të dyshuarit A.Z., masa e paraburgimit i është caktuar me arrest shtëpiak, kurse të dyshuarit V.B. masë e paraburgimit prej një muaji.

“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Penal ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit A.Z. për shkak të dyshimit se ka kryer veprat penale ‘Kanosja’ nga neni 181 paragrafi 3 të KPRK-së dhe ‘Sulm ndaj personit zyrtar’ nga neni 402 paragrafi 4 të KPRK-së dhe të pandehurit V.B. për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale ‘Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike’ nga neni 195 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës se Kosovës. Gjyqtari i procedurës paraprake lidhur me të pandehurin A.Z ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit si të pabazuar dhe të njëjtit i ka caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji ndërsa të pandehurit V.B. i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji”, thuhet në njoftimin e Gjykatës. /Zëri