Dështon të mbahet seanca gjyqësore në rastin ku Shaban Gogaj akuzohet për vrasjen e Agonis Tetajt

Dështon të mbahet seanca gjyqësore në rastin ku Shaban Gogaj akuzohet për vrasjen e Agonis Tetajt

Kronika April 21, 2021 - 14:04

Të mërkurën, ka dështuar të vazhdoj gjykimi për rastin ku Shaban Gogaj po akuzohet nga Prokuroria e Pejës për vrasjen e tani të ndjerit Agonis Tetaj, në shtatorin e vitit 2018, në kompaninë “Gogaj Ag”.

Gogaj po akuzohet edhe për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, ashtu sikurse edhe i pandehuri Isuf Cacaj.

Seanca e së mërkurës, e caktuar pas rihapjes së shqyrtimit gjyqësor, ka dështuar të mbahet në mungesë të avokatit Besnik Berisha, mbrojtës i të akuzuarit.

Kryetarja e trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova, ka bërë të ditur se avokati Berisha e kishte njoftuar gjykatën se nuk do të mund të merrte pjesë në seancën e së mërkurës, pasi ishte i angazhuar në një seancë tjetër, e caktuar më herët.

“Në të njëjtën ditë pas hapjes së gjykimit, avokati Besnik Berisha ka njoftuar gjykatën se për seancën e sotme nuk ka mundësi të merr pjesë, pasi që është angazhuar në dy seanca të shqyrtimit gjyqësor, për veprat penale “vrasje e rëndë”, për të cilat i ka pranuar ftesat një muaj më parë”, tha Husaj-Rugova.

Gjykatësja njoftoi se me shtyrjen e seancës ishin njoftuar me kohë palët në procedurë, përfshirë këtu prokurorin, të pandehurit dhe pala e dëmtuar.

Seanca e radhës u caktua të mbahet më 7 maj 2021, në ora 10:00.

Gjykata Themelore në Pejë, më 19 mars 2021, ka vendosur që të rihapë seancën e shqyrtimit gjyqësor për këtë rast.

Një gjë e tillë kishte ndodhur pasi prokurori i Prokurorisë së Gjilanit, Agron Uka, kishte bërë ricilësimin e aktakuzës ndaj Gogajt, nga vrasje e rëndë në vrasje nga pakujdesia, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ky ricilësim i aktakuzës ndaj të akuzuarit Shaban Gogaj kishte ngjallur reagime nga familjarët e viktimës, ku nëna, babai dhe bashkëshortja e të ndjerin, të cilët e kishin lëshuan sallën, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa më pas, me vendimin e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, është bërë ndërrimi i prokurorit Uka dhe kjo lëndë tani i është caktuar prokurorit Isuf Sadiku. Kryeprokurori Lumezi kishte kërkuar që të bëhej hapja e serishme e gjykimit, pasi pas rikualifikimit të veprës penale nga vrasje e rëndë në vrasje nga pakujdesia, i akuzuari Shaban Gogaj e ka pranuar fajësinë, si dhe kishte kërkuar të fillojë procedura disiplinore ndaj prokurorit Uka.

Ndryshe, këtë çështje penale deri më tani e ka përfaqësuar Prokuroria e Gjilanit, pasi kryeprokurori i Apelit, Haxhi Dërguti, kishte aprovuar propozimin e mbrojtjes së të pandehurit, duke përjashtuar Prokurorinë e Pejës nga trajtimi i këtij rasti, me arsyetimin e trajtimit të njëanshëm të rastit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktakuzës të ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë më 12 qershor 2019, e të ricilësuar më 16 mars 2021, e akuzon të pandehurin Shaban Gogaj se më 23 shtator 2018, rreth orës 11:05:31, në Deçan, në rrugën “Luan Haradinaj”, në kompaninë “Gogaj Ag”, nga pakujdesia i pandehuri Gogaj, e privon të ndjerin nga jeta, Agonis Tetaj.

Sipas ricilësimit, gjersa i pandehuri ishte duke komunikuar në telefon me Natyra Melaj, vajzën e hallës rreth shkuarjes së tij në bjeshkë, duke e porosit që të merrte gjësende ushqimore, posa e përfundon këtë bisedë, e lëshon telefonin në tavolinë, nga karrika në skajin e majtë të banakut ku ishte ulur, kalon  në karrigen tjetër që gjendet në mes të banakut, lakohet duke shikuar në anën e djathtë kah dritaret në drejtim të rrugës dhe nxjerr nga sirtari i tretë i anës së djathtë, revolen e llojit “Beretta”, Model 92 FS, e vendos karikatorin në armë, e reperton të njëjtën dhe shkrep një herë në drejtim të : Asgan Hadërgjonaj, Agonis Tetaj e Faruk Zukaj, të cilët kanë qenë në distancë rreth 70 cm në mes vete, ndërsa në raport me të pandehurin distance ka qenë 4-5 metra, dhe nga kjo shkrepje, e godet tani të ndjerin Agonis Tetaj në mollëzën e djathtë të fytyrës, e pas këtij veprimi i njëjti kthen armën ku e ka marrë duke e kap kokën me dy duart, duke menduar se ka shkrep me armën me gaz, për të cilën paraprakisht e ka njoftuar xhaxhi i tij, Isuf Cacaj, se arma me gaz ndodhet aty, i njëjti këtë veprim nuk e ka dëshiruar as pasojën e shkaktuar, përkatësisht pasoja shkaktohet kundër vullnetit të tij, si rezultat i moskujdesit apo indiferencës apo jo seriozitetit të tij, ashtu që përkundër përpjekjeve për ofrimin e ndihmës, tani të ndjerit Agonis, i njëjti nuk ka mundur të mbijetoj plagës.

Me çka ka kryer vepër penale “Vrasje nga Pakujdesia, nga neni 181 të KPRK-së.

Përveç kësaj, i pandehuri Gogaj akuzohet edhe për veprën penale të armëmbajtje pa leje.

Në këtë rast, për armëmbajtje pa leje akuzohet edhe Isuf Cacaj, ku sipas aktakuzës, më 23 shtator 2019, rreth orës 14:50 në Deçan, në shitoren “Gogaj AG”, ka mbajt në pronësi armë dhe atë pistoletën e tipit “Bloë TR 92”, e kalibrit 9mm, e gjetur nga policia në sirtarët nën banakun e arkës.