Bashkëshorti i kishte vdekur në vendin e punës, paditësja kërkon t’i njihet e drejta për pension familjar

Bashkëshorti i kishte vdekur në vendin e punës, paditësja kërkon t’i njihet e drejta për pension familjar

Kronika May 05, 2021 - 14:11

Ka përfunduar gjykimi në rastin ku Sehare Krasniqi po kërkon t’i njihet e drejta në pensionin familjar, pasi që bashkëshorti i saj kishte vdekur në vendin e punës.

Krasniqi ka paditur Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), më 10 maj 2018, për shkak të anulimit të aktvendimit me të cilin i ishte refuzuar kërkesa për njohjen e të drejtës në pensionin familjar.

Në arsyetimin e vendimit të MPMS-së thuhet se pas shqyrtimit të dokumentacionit, provave dhe pretendimeve ankimore, është konstatuar se nuk ka dëshmi të mjaftueshme për të qenë përfituese e pensionit familjar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mirëpo sipas paditëses, vendimi i Ministrisë është i kundërligjshëm, me arsyetimin se e njëjta i plotëson të gjitha kriteret për të qenë shfrytëzuese e pensionit familjar, pasi që bashkëshorti i saj, tani i ndjeri Besim Krasniqi kishte vdekur në vendin e punës.

Në shqyrtimin kryesor të mbajtur të mërkurën, në Departamentin për Çështje Administrative të Gjykatës Themelore të Prishtinës, paditësja Sehare Krasniqi tha se mbetet pranë padisë dhe kërkesëpadisë.

Tutje, në këtë seancë janë administruar provat materiale si dhe është dhënë fjala përfundimtare, ku paditësja Krasniqi ka kërkuar nga gjykata anulimin e vendimit kontestues si të pabazuar në ligj dhe njohjen e të drejtës në pensionin familjar.

Meqenëse në seancë nuk prezantoi askush nga pala e paditur, MPMS, pas deklarimit të paditëses, gjykatësja Luljeta Maxhuni e ka konsideruar të përfunduar gjykimin dhe ka bërë të ditur se palët do të njoftohen me kohë lidhur me vendimin.