Prodhonte dhe shiste diploma të falsifikuara shkollore, arrestohet i dyshuari në Malishevë

Prodhonte dhe shiste diploma të falsifikuara shkollore, arrestohet i dyshuari në Malishevë

Kronika May 06, 2021 - 16:29

Policia e Kosovës ka realizuar një bastisje në një agjenci turistike në Malishevë, ku janë gjetur dhe sekuestruar diploma të falsifikuara.

Sipas njoftimit të Policisë, diplomat ishin lëshuar në emër të institucionit shkollor “SHML nga Prizreni”, për persona të ndryshëm, e të cilat ishin prodhuar dhe dhënë në këmbim të shumave të caktuara të parave.

Policia njofton se në lidhje me këtë rast ka arritur të ndalojë të dyshuarin H.M. i lindur në vitin 1961, ku me urdhër të prokurorit është dërguar në ndalim për 48 orë.

“Sektori i hetimeve rajonale në Prizren, kishte pranuar një informacion se në periudhën janar-mars 2021, shumë qytetarë nga Republika e Kosovës kishin paraqitur kërkesa për viza pune në vende të ndryshme të BE-së, me diploma të cilët dyshohet se ishin të falsifikuara. Hetuesit filluan me verifikimin e vlefshmërisë së këtyre diplomave të cilat janë lëshuar nga një shkollë e mesme e lartë në Komunën e Prizrenit, pas verifikimit të vlefshmërisë hetuesit rajonal zbuluan se të gjitha diplomat ishin të falsifikuara. Me autorizimin e prokurorit hetuesit filluan grumbullimin e provave duke siguruar dëshmi për veprën penale falsifikim i dokumentit, në këtë kuadër u intervistuan persona të ndryshëm si dhe dëshmitarë të shumtë”, thuhet ndër të tjerash në njoftimin e Policisë. /Zëri