Vendos Apeli, Shukri Bujës i vjetërsohet lënda ku akuzohej për korrupsion

Vendos Apeli, Shukri Bujës i vjetërsohet lënda ku akuzohej për korrupsion

Kronika May 07, 2021 - 10:59

Katër vjet pasi Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) kishte ngritur një aktakuzë për korrupsion ndaj ish-kryetarit të Komunës së Lipjanit, Shukri Buja, rasti ka përfunduar pa marrë një aktgjykim meritor.

Kjo pasi Gjykata e Apelit ka nxjerrë aktgjykim refuzues ndaj Bujës për shkak se vepra penale për të cilën akuzohej ai është vjetërsuar.

Deri te vjetërsimi, përkatësisht arritja e afatit të parashkrimit absolut, ka ardhur pasi Gjykata Supreme, më 17 mars të këtij viti, e kishte anuluar një aktgjykim të mëhershëm të Apelit, me të cilin Buja ishte dënuar me një vit burgim dhe rastin e kishte kthyer në rigjykim në shkallë të dytë.

Pas kthimit të rastit në rigjykim Gjykata e Apelit, me aktgjykimin e marrë më 12 prill 2021, ka vendosur që të refuzojë akuzën ndaj Bujës me arsyetimin se vepra penale e keqpërdorimit të pozitës zyrtare, për të cilën akuzohej Buja, ka arritur afatin e parashkrimit më 7 mars 2021.

Kësisoj, sipas vendimit të Apelit, i bie që Gjykata Supreme e kishte anuluar dënimin ndaj Bujës dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim, 10 ditë pasi që vepra penale për të cilën akuzohej ai kishte arritur afatin e parashkrimit absolut.

Në arsyetimin e aktgjykimit të Apelit, thuhet se rasti është kthyer në rigjykim nga Supremja vetëm për një pikë të aktgjykimit, përkatësisht për pjesën ku Buja ishte shpallur fajtor për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Në këtë pikë, Buja akuzohej se kishte lëshuar një urdhëresë për regjistrimin dhe bartjen e një prone më datën 7 mars 2011, me çka akuzohej se kishte kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

“Në rastin konkret nga data 07.03.2011 si datë e veprimit të akuzuarit e deri me datën e lëshimit të këtij aktgjykimi, kanë kaluar më shumë se 10 (dhjetë) vite, që nënkupton ka kaluar dyfishi i kohës së parashkrimit. Më saktësisht me datë 07.03.2021, ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale për këtë vepër. Andaj, edhe duhet të ndërpritet çdo veprim i mëtejmë në drejtim të ndjekjes penale.” – thuhet në aktgjykimin e Apelit.

Sipas Apelit, vepra penale për të cilën akuzohej Buja parashihte dënim maksimal prej pesë viteve, ndërsa afati i parashkrimit për këtë vepër penale është po ashtu pesë vite, kurse, ndjekja penale ndalohet në çdo rast kur të ketë kaluar dyfishi i kohës së afatit të parashkrimit.

“Vepra penale për të cilën akuzohet i akuzuari është keqpërdorimi i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar nga neni 422 par. 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së. Kjo vepër është e dënueshme me burgim prej 6 (gjashtë) muajve deri në 5 (pesë) vjet. Sipas nenit 106 par. 1 nën par. 1.4 të KPRK-së, ndjekja penale nuk mund të ndërmerret nëse kanë kaluar 5 (pesë) vite nga kryerja e veprës penale të dënueshme me më shumë se 3 (tre) vjet. Sipas nenit 107 par. 8 të KPRK-së, ndjekja penale ndalohet në çdo rast kur të ketë kaluar dyfishi i kohës së afatit të parashkrimit” – thuhet në aktgjykimin e Apelit të marrë nga kolegji në përbërje nga gjyqtarët, Vaton Durguti, Kreshnik Radoniqi dhe Tomislav Petrovic.

Ndryshe, më 30 mars të këtij viti, përmes një komunikate për media, Gjykata Supreme kishte njoftuar se ka miratuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitur nga mbrojtësit e Bujës dhe lëndën e kishte kthyer për rigjykim në Gjykatën e Apelit.

Vendimi i Supremes ishte bërë i ditur vetëm një ditë pasi që “Betimi për Drejtësi”, kishte raportuar se gjykata nuk po arrita ta gjej Shukri Bujën, që ta dërgojë në vuajte të dënimit me burg.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 18 shtator 2020, Bujën e kishte dënuar me dy vjet burgim për korrupsion. Fajtor për keqpërdorim të pozitës apo autoritet zyrtar ishin shpallur edhe zyrtarët tjerë komunal të Lipjanit, Bajram Rizani, Halit Gashi, Edmond Rexhepi, kurse për marrje ryshfeti, fajtor ishte shpallur Hasim Viseshella.

Të akuzuarit Rizani, Gashi dhe Rexhepi ishin dënuar me nga gjashtë muaj burgim, mirëpo, ky dënim, me pëlqimin e tyre ishte zëvendësuar me gjobë në vlerë prej 2 mijë euro. Kurse, i akuzuari Viseshella ishte dënuar me pesë muaj burgim. Edhe për këtë të akuzuar, dënimi me burg ishte zëvendësuar në dënim në gjobë, në vlerë prej 1 mijë e 500 euro.

Ndërsa, Magbule Sadiku, Driton Avdiu dhe Burim Kodra ishin liruar nga akuzat për keqpërdorim të pozitës zyrtare, në mungesë të provave.

Ndaj Bujës, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur aktgjykim refuzues për pesë pika të akuzës, ku ngarkohej me veprat penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare dhe ushtrimit të ndikimit. Edhe ndaj të akuzuarit Fahri Retkoceri, gjykata kishte shpallur aktgjykim refuzues për veprat penale të dhënies së ryshfetit dhe punimeve ndërtimore të kundërligjshme. Kjo, sipas kryetarit të trupit gjykues, Beqir Kalludra, ka ardhur pasi që veprat penale janë parashkruar.

Gjykata kishte detyruar të akuzuarin Buja, që të kompensojë Komunën e Lipjanit dhe Agjencinë Kosovare të Privatizimit, në lartësi prej 79,155.00 euro, kurse për kërkesat tjera pasurore-juridike, Komunën e Lipjanit dhe Agjencinë Kosovare të Privatizimit i kishte udhëzuar në kontest civil. Sa i përket propozimit për anulimin e vendimeve të cekura në aktakuzë, gjykata ka vendosur që të njëjtat janë jo-lëndore pasi janë nxjerrë në procedura administrative.

Pas ankesave të ushtruara kundër këtij aktgjykimi, Gjykata e Apelit në dhjetor 2020, ia kishte përgjysmuar dënimin Bujës ashtu që ndaj tij kishte shqiptuar dënim me burgim efektiv prej një viti.

Po ashtu, Bujës i ishte shqiptuar edhe dënim plotësues “ndalim të ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik, në kohëzgjatje prej 2 (dy) viteve”.

Gjykata e Apelit e kishte anuluar edhe dënimin plotësues të shqiptuar ndaj Bujës nga shkalla e parë, ku Buja detyrohej që palët e dëmtuara t’i kompensojë me afër 80 mijë euro. Për këtë pikë, Apeli i kishte udhëzuar Komunën e Lipjanit dhe AKP-në në kontest të rregullt civil.

Për pikat e tjera të aktakuzës, për të cilat shkalla e parë i kishte dënuar Bujën dhe të akuzuarit Halit Gashi dhe Bajram Rizani, Apeli kishte nxjerr aktgjykim refuzues për shkak të parashkrimit të ndjekjes penale.

Po ashtu, aktgjykim refuzues ishte marr edhe për të akuzuarën Magbule Sadiku e cila ishte liruar nga akuzat nga shkalla e parë. Ndërsa për të akuzuarit, Hasim Vishesella dhe Edmond Rexhepi, Apeli e kishte prishur aktgjykimin e shkallës së parë dhe lëndën ndaj tyre e ka kthyer në rigjykim. Për pjesët tjera të aktgjykimit, Apeli e kishte lënë në fuqi aktgjykimin e shkallës së parë.

I akuzuar në këtë rast kishte qenë edhe Nebih Zeqiri, mirëpo për shkaqe shëndetësore, gjykata kishte veçuar procedurën për të.

Ndryshe, ky rast ishte gjykuar edhe gjatë vitit 2018, e ku Shukri Buja, më 5 nëntor 2018 ishte dënuar me tre vjet burgim efektiv, pasi ishte shpallur fajtor për veprën penale, keqpërdorim i detyrës zyrtare në vazhdimësi dhe në bashkëkryerje.

Për keqpërdorim të pozitës zyrtare, fajtorë ishin shpallur edhe të akuzuarit e tjerë në këtë rast, Nebih Zeqiri, i cili ishte dënuar me dy vjet e gjashtë muaj burgim, Halit Gashi me gjashtë muaj burgim, Edmond Rexhepi ishte dënuar me gjashtë muaj burgim, Bajram Rizani me gjashtë muaj burgim, kurse Hasim Viseshella ishte shpallur fajtorë për marrje ryshfeti dhe ishte dënuar me pesë muaj burgim.

Ndërsa, ishin liruar nga akuzat, Magbule Sadiku, Burim Kodra si dhe Driton Avdiu, kurse ndaj biznesmenit Fahri Retkoceri, aktgjykim lirues ishte marrë për veprën penale, punimet ndërtimore të kundërligjshme.

Gjykata e shkallës së parë, kishte nxjerrë aktgjykim refuzues për të akuzuarit Buja, Zeqiri dhe Retkoceri, për disa pika tjera të aktakuzës për shkak se kishte vlerësuar se ka arritur afati i parashkrimit.

Mirëpo, pas ankesave të ushtruara nga ana e Prokurorisë Speciale dhe mbrojtësve së të akuzuarve, Gjykata e Apelit më vendimin e marrë më 12 qershor 2019, e kishte anuluar këtë aktgjykim të Themelores dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim.

PSRK më 13 shkurt 2017 kishte ngritur aktakuzë me të cilën i ngarkon ish-kryetarin e Lipjanit, Shukri Buja, Nebih Zeqirin – zyrtar për çështje pronësore në zyrën e Kryetarit të Komunës së Lipjanit, Halit Gashi – në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë për Gjeodezi dhe Kadastër në Lipjan, Magbule Sadiku – zyrtare në Drejtorinë për Gjeodezi dhe Kadastër në Lipjan, se në kundërshtim me dispozitat ligjore, kanë ndërmarrë veprime për shpronësimin, eksproprijimin dhe më pas kanë tjetërsuar pronat shoqërore dhe komunale, në dobi të “Neë Co Ferronikel Complex L.LC”.

Buja akuzohej se në cilësinë e Kryetarit të Komunës së Lipjanit, kishte nxjerrë vendim për shpalljen e interesit të përgjithshëm, për eksproprijimin e patundshmërive në Medvec dhe Magure, me gjithsej sipërfaqe 76.30.37 ha, edhe pse për eksproprijimin për eksploatim ka qenë kompetent niveli qendror.

Sipas prokurorisë, i pandehuri Shukri Buja, në kundërshtim me Ligjin për Shpronësimin e Pronës së Paluajtshme ka caktuar komisionin për vlerësimin e paluajtshmërive, edhe pse ky vlerësim është në kompetencë të nivelit qendror. Lidhur me punën e këtij komisioni, i pandehuri Buja sipas aktakuzës iu ka drejtuar “Neë Co Ferronikel Complex L.LC”, nga i cili ka kërkuar pagesën për punën e komisionit në shumës prej 21.500 euro, dhe atë në llogarinë e cila ka rezultuar të jetë e të pandehurit, Nebih Zeqiri.

Tutje, Buja pretendohet se duke tejkaluar kompetencat zyrtare, në emër të Komunës së Lipjanit ka nënshkruar memorandum mirëkuptimi më “Neë Co Ferronikel Complex L.LC”. Në bazë të këtij memorandumi siç thuhet në aktakuzë, Buja i ka dhënë me qira “Neë Co Ferronikel Complex L.LC” një objekt komunal në afat prej 10 vjet, me çmimin prej 1 euro, me të cilat veprime i ka shkaktuar dëm Komunës së Lipjanit.

Në një rast tjetër, prokuroria pretendonte se të pandehurit Shukri Buja dhe Nebih Zeqiri, duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar, në kundërshtim me ligjin kanë nënshkruar marrëveshje për kompensimin e paligjshmërisë së eksproprijuar me “N Co Ferronikel Complex L.LC”, për parcelën me 0.94,75 ari. Me kërkesë të të pandehurve, mjetet nga kjo marrëveshje, në shumën prej 39.795 euro, janë paguar në llogarinë rrjedhëse të klubit futbollistik “Ulpiana”. Sipas prokurorisë, e njëjta procedurë dhe e njëjta mënyrë e eksproprijimit dhe shpronësimit të ngastrave tjera, është përdorur edhe në raste tjera, e të cilat mjete janë transferuar në llogarinë bankare të klubit futbollistik “Ulpiana”.

Prokuroria i ngarkonte të akuzuarit Shukri Buja, Nebih Zeqiri, Halit Gashi, në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë për Gjeodezi dhe Kadastër në Lipjan dhe Magbule Sadiku – zyrtare në Drejtorinë për Gjeodezi dhe Kadastër në Lipjan, se në kundërshtim me dispozitat ligjore kanë nxjerrë urdhëresë për regjistrimin dhe bartjen e pronës në mënyrë të kundërligjshme, në emër të “Neë Co Ferronikel Complex L.LC”.

I pandehuri Fahri Retkoceri, akuzohej për veprat penale “punime ndërtimore të kundërligjshme” dhe “dhënie e ryshfetit”. I pandehuri Retkoceri akuzohet se ka filluar ndërtimin e një objekti kolektiv-banesor, pa u pajisur me leje ndërtimi. Po ashtu, Retkoceri akuzohet se të akuzuarit Buja ia kishte riparuar një automjet të tipit “Mercedes ML”, i cili kishte qenë pronë e Komunës së Lipjanit. Një gjë të tillë, sipas aktakuzës, Retkoceri e kishte bërë për të ndikuar tek inspektorët komunal që të mos ia ndërprenë punimet në objektin e nisur.

E për veprimin e lartcekur, prokuroria e ngarkonte edhe Bujën pasi sipas aktakuzës, me dashje ka ndikuar tek zyrtarët tjerë komunal që të mos e pengojnë Retkocerin në ndërtimin e objektit kolektiv-banesor.

I pandehuri Hasim Viseshella – në cilësinë e shefit të sektorit në Drejtorinë e Planifikimit dhe Urbanizmit dhe Mbrojtjen e Mjedisit në Komunën e Lipjanit dhe i pandehuri Edmond Rexhepi-Drejtor për Planifikim dhe Urbanizëm në komunën e Lipjanit, ngarkohen me veprat penale ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe “marrje e ryshfetit”, për faktin se kanë lëshuar leje ndërtimi për të pandehurin, Fahri Retkoceri.

Të akuzuarit, Driton Avdiu dhe Burim Kodra, akuzohen për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Prokuroria, pretendonte se dy të akuzuarit në cilësi të inspektorëve komunalë, me rastin e inspektimit në ndërtimin e objektit banesor nga i pandehuri, Fahri Retkoceri, nuk i kanë ndërmarrë masat për pezullim të punimeve.

Ndërsa, i pandehuri Bajram Rizani akuzohej se në cilësinë e drejtorit në Drejtorinë e Inspekcionit në Komunën e Lipjanit, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare, duke qenë në dijeni se i pandehuri, Fahri Retkoceri, po ndërtonte objekt pa leje, nuk ka kërkuar nga vartësit e tij pezullimin e ndërtimit të objektit, me çka akuzohet për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Për të gjitha këto veprime, PSRK e ngarkonte Bujën me veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrim i ndikimit” dhe “Marrje ryshfeti”. Për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, akuzoheshin edhe Nebih Zeqiri, Halit Gashi, Magbule Sadiku, Burim Kodra, Driton Avdiu dhe Bajram Rizani, kurse Viseshella akuzohej për veprën penale “Marrje e ryshtetit” dhe biznesmeni Retkoceri akuzohej për veprat penale “Punimet ndërtimore të kundërligjshme” dhe “Dhënia e ryshfetit”.