Vazhdohet masa e paraburgimit ndaj shtatë të dyshuarve për përfshirje në rastin e 400 kg kokainë

Vazhdohet masa e paraburgimit ndaj shtatë të dyshuarve për përfshirje në rastin e 400 kg kokainë

Kronika June 17, 2021 - 16:42

Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj, shtatë të dyshuarve të përfshirë në rastin e 400 kg kokainë.

Kjo sasi e narkotikëve ishte sekuestruar më 17 maj 2021 në Lipjan, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për këtë rast, gjykata ka vazhduar paraburgimin për të dyshuarit, Izet Sheqiri, Kadri Sheqiri, Kadri Ibrahimi, Fehmi Bytyqi, Faton Vrajolli, Enver Belegu dhe Bajram Maliqi.

Lajmin për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar zyrtarja për informim në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

“Konform nenit 191 paragrafi 1 të KPPK-së, jashtë seancës me datë 16.06.2021 gjyqtarja e procedurës paraprake iu ka vazhduar masën e paraburgimit të pandehurve I.SH.,K.SH,K.B.,F.B.,F.V.,E.B.,B.M në kohëzgjatje edhe prej dy muajve për secilin veç e veç, përkatësisht deri me dt.17.08.2021”, thuhet në përgjigjen e Gashit.

Të gjithë të dyshuarit në këtë rast po dyshohen se kanë kryer veprën penale, pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal lidhur me veprën penale, blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope apo analoge.

Ndërsa, Izet dhe Kadri Sheqiri po dyshohen edhe për armëmbajtje pa leje.

Në kërkesën prokurorisë për caktim të paraburgimit thuhej për të gjithë këta të dyshuar janë plotësuar kushtet ligjore për caktim të paraburgimit.

Nga provat e siguruara, prokuroria po pretendon se është vërtetuar se të pandehurit duke vepruar si pjesë e grupit të organizuar dhe si bashkim i strukturuar, ishin në dijeni se ngarkesa në kamion përmbante përveç produkteve ushqimore edhe substanca narkotike.

Në kërkesën e PSRK-së thuhej se në rast se të dyshuarit lihen në liri, ekziston rreziku që të njëjtit të arratisen.

Po ashtu, kërkesën e saj për caktim të paraburgimit, PSRK e bazonte edhe në atë se, nëse të dyshuarit lihen në liri atëherë ekziston mundësia që të njëjtit të ndikojnë te dëshmitarët, pasi sipas kërkesës, rasti është ende nën hetime dhe nuk janë intervistuar të gjithë dëshmitarët.

Po ashtu, prokuroria pretendon se nëse të dyshuarit lihen në liri, të njëjtit mund të përsërisin veprën penale duke bashkëpunuar me persona të cilët aktualisht janë në arrati dhe të cilët dyshohen se janë pjesë e grupit kriminal.