Paraburgim për prizrenasin që rrahu gruan dhe vajzat e tij

Paraburgim për prizrenasin që rrahu gruan dhe vajzat e tij

Kronika July 22, 2021 - 14:06

Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej tridhjetë ditësh ndaj të pandehurit A.H., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Dhunë në familje”.

Kjo masë të pandehurit do t’i llogaritet prej kohës së arrestimit, 20.07.2021, dhe mund të zgjasë deri më datën 19.08.2021.

Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurit A.H. ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë rrjedh dyshimi i bazuar se “më datën 20 korrik, në orët e mëngjesit në Prizren, në shtëpinë e tij familjare, me dashje përdor forcën ndaj të dëmtuarës – bashkëshortes së tij, në atë mënyrë që pas disa mosmarrëveshjeve paraprake bashkëshortore i pandehuri e pështyn në fytyrë, duke ia thënë fjalët ‘pse nuk po lajmërohesh me kohë’ dhe në ato momente e kap viktimën dhunshëm dhe e rrëzon përtokë dhe duke e mbajtur e godet me grushte në pjesën e kokës dhe të qafës, si dhe e tërheqë për flokësh, kështu duke i shkaktuar lëndim të lehtë trupor.

Gjithashtu i pandehuri A.H. me dashje kryen dhunë dhe keqtrajtimin fizik e psikologjik ndaj të dëmtuarave – vajzave të tij, ashtu që të njëjtat shohin babanë e tyre duke ushtruar dhunë fizike ndaj nënës, të dëmtuarat fillojnë të qajnë dhe në ato momente i pandehuri i sulmon të njëjtat, duke i goditur me shuplaka fytyrës, me ç’rast te të dëmtuarat shkakton frikë, stres psikologjik, ankth dhe pasiguri”, njofton Gjykata Themelore e Prizrenit.

Kurse se a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.

“Me rastin e caktimit të paraburgimit Gjykata ka marrë parasysh natyrën e rëndë, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së veprave penale, për të cilat dyshohet i pandehuri dhe faktin se me qëndrimin e pandehurit në liri ekziston rreziku se i njëjti do të pengojë rrjedhën normale të kësaj procedure penale. Nga të lartcekurat, gjyqtari i procedurës ka vlerësuar se caktimi i paraburgimit për të pandehurin është më se i domosdoshëm, duke pasur parasysh peshën e veprave penale, sjellja e të pandehurit dhe këmbëngulësia që me çdo kusht ta përfundojë veprën e filluar, shfaqin rrezikun se me lënien në liri të të pandehurit i njëjti mund të përsërisë veprën penale, andaj sipas mendimit të Gjykatës caktimi i masës së paraburgimit tani për tani është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm”, u tha në njoftimin e Gjykatës Themelore të Prizrenit.

Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, mirëpo ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtyn ekzekutimin e tij. /Zëri