Vërtetohet dënimi me burgim ndaj dy personave për krime lufte

Vërtetohet dënimi me burgim ndaj dy personave për krime lufte

Kronika December 02, 2021 - 12:57

Gjykata e Apelit e Kosovës ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, i datës 23 mars të këtij viti, ku janë dënuar për krime lufte në Kosovë ndaj popullatës civile dy persona Z.K. dhe D.SH.

“Departamenti Special i Gjykatës së Apelit të Kosovës, pas shqyrtimit të të gjitha shkresave të lëndës dhe vlerësimit të pretendimeve ankimore, ka vendosur që të refuzojë si të pabazuara ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve, kurse të vërtetohet aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, PS.nr.76/19, datë 23.03.2021, ndërsa është hudhur poshtë ankesa e përfaqësuesit palës së dëmtuar. Me aktgjykimin e lartcekur të Gjykatës Themelore në Prishtinë, i akuzuari Z.K. është shpallur fajtor për shkak të veprës penale në bashkëkryerje Krime lufte kundër popullsisë civile nga neni 142, lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, e sanksionuar edhe sipas nenit 3 të Konventës së Gjenevës dhe Protokolit të dytë të saj dhe ndaj të njejtit është shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 14 (katërmbëdhjetë) vjet e 6 (gjashtë) muaj”, thuhet në njoftim.

Ndërsa, i akuzuari D.Sh. është shpallur fajtor për shkak të veprës penale Krime lufte kundër popullsisë civile nga neni 142 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët të Konventave të Gjenevës dhe ndaj të njejtit është shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 7 (shtatë) vjet.

Në arsyetimin e Apelit thuhet se “Gjykata e shkallës së parë, vlerësimin e provave e ka bërë në pajtim me dispozitat e nenit 361 par. 1 të KPPK-së, kështu, në rastin konkret gjykata e shkallës së parë, ka dhënë arsye të qarta për vendin, kohën, mënyrën e kryerjes së veprave penale, dhe po ashtu, edhe për mënyrën se si ka ardhur deri të kryerja e këtyre veprave penale nga të akuzuarit. Për me tepër as i akuzuari Z.K. e as mbrojtësi i tij nuk e kanë mohuar faktin se i njëjti në fillim të luftës në Kosovë ka qenë i mobilizuar në njësinë policore të MPB/MUP të Serbisë, dhe ka qenë i ngarkuar me armë gjysmë automatike dhe me uniformë policie, por i akuzuari e mohon faktin se ditën kritike ka qenë në vendin e ngjarjes si dhe të këtë marr pjesë direkt në sulmin ndaj familjes N., me arsyetimin se në vitin 1998 është ç’lajmëruar në MPB në F.1.aj dhe me dt.26 mars 1999 ka qenë në Kragujevc, ndërsa i akuzuari D.SH. gjithashtu pohon faktin se gjatë periudhës së luftës në Kosovë ka marrë pjesë në cilësinë e inspektorit të SUP-it të Serbisë por mohon faktin se i njëjti ka qenë përgjegjës për kryerjen e varrimit të familjes N. dhe të I. R.t pasi këtë e ka bërë Ndërmarrja Komunale “Komunalna Zvezda”, në F.1.aj, ndërsa urdhrat për varrosjen e trupave të pa jetë janë dhënë nga udhëheqësit e tyre, drejtori M. dhe udhëheqësi Z., kurse detyrë primare e tij ditën kritike ka qenë të udhëheq procesverbalin mbi vendshiqimin, që të evidentoj lokacionin ku janë varrosur civilet e vrarë, radhitjen e tyre dhe kush ka marrë pjesë në vendshiqim, pra gjykata e shkallës se parë ka bërë analizën e të gjitha provave të proceduara gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe lidhur me to ka paraqitur konkludimet e veta, të cilat si të drejta, objektive, dhe të ligjshme, i aprovon edhe kjo gjykatë”.