Një muaj paraburgim Leotrim Gashit, zyrtarit të MKRS-së

Një muaj paraburgim Leotrim Gashit, zyrtarit të MKRS-së

Kronika January 13, 2022 - 18:09

Zyrtari i Ministrisë së Kulturës, Leotrim Gashi, u arrestua ditë më parë nën dyshimin e marrjes së ryshfetit.

E sot, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit në fjalë për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”.

“Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit L.G e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji. Të pandehurit L.G. paraburgimi i është caktuar në bazë të nenit187 par 1 nen par. 1.1 dhe 1.2 pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPPK-së”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake, ka ardhur në përfundim se kërkesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, është e bazuar dhe e argumentuar për këtë fazë të procedurës.

Kundër këtij aktvendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Gashi ishte asistent ekzekutiv i drejtorit për rini në këtë ministri, ndërsa dyshohet se ka pranuar ryshfet në dy raste të subvencionimeve. Ai është kapur në flagrancë.

Policia, në ditën e arrestimit të tij, njoftoi se Gashi kishte marrë ryshfet prej mijëra eurosh nga dy biznese aplikuese dhe përfituese të subvencioneve të ndara nga Ministria përkatëse.

“Sot me datë 11.01.2022, nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit - Sektori për Hetimin e Korrupsionit në Policinë e Kosovës, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore është realizuar një operacion me ç ‘rast është arrestuar ne flagrancë një person mashkull kosovar, i cili dyshohet se me pozitën që kishte në kuadër të një Ministrie të RKS-së, ka kërkuar dhe pranuar ryshfet shumën e të hollave prej mijëra eurosh, nga dy biznese aplikuese dhe përfituese të subvencioneve të ndara nga Ministria përkatëse. I dyshuari është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe me aktvendim të Prokurorit të Shtetit i njëjti ndalohet për 48 orë”, thuhet në njoftimin e Policisë. /Zëri