Gati 2 mijë raste të dhunës në familje për 10 muaj – viktima ishin edhe gratë edhe burrat
Foto: Ilustrim

Gati 2 mijë raste të dhunës në familje për 10 muaj – viktima ishin edhe gratë edhe burrat

Kronika January 16, 2022 - 08:35

Për dhjetë muaj, nga janari e deri në tetor 2021, në Policinë e Kosovës janë raportuar 1 988 raste të dhunës në familje. Nga këto të dhëna, 1 062 viktima kanë qenë femra përderisa meshkuj 463, kanë bërë të ditur nga Policia e Kosovës në një përgjigje me shkrim për Ekonomia Online.

Më tej aty thuhet se rastet e dhunës në familje në secilin stacion policor trajtohen nga zyrtarë policorë që kanë kryer trajnime shtesë për raste të tilla, por rastet e tilla gjithashtu trajtohen në bashkëpunim të ngushtë me Qendrat për Punë Sociale, Mbrojtësit e Viktimave dhe natyrisht me organet e drejtësisë.

Policia e Kosovës thotë se në vazhdimësi ka bashkëpunuar me institucionet relevante për të parandaluar dhe nëse ndodhin për t’i trajtuar rastet e dhunës në familje.

Në përgjigje sqarohet se Policia ka përdorë forma të ndryshme për të arritur këtë qëllim, si: fushatat, shpërndarja e fletë-palosjeve më porosi konkrete, ligjërata në shkolla etj.

Përderisa neuropsikiatri Sami Rexhepi, thotë se dhuna po vjen për shkak të mungesës së durimit dhe mirëkuptimit ndërmjet të dy gjinive, por edhe për shkak të gjendjes socio-ekonomike në vend.

“Shëndeti mendor nuk shikohet në një aspekt shumë të ngushtë. Shëndeti mendor ka shumë faktorë. Shëndeti fizikë, gjendja e mirëqenies socio-ekonomike, gjendja e shëndetit mendor të vet individit. Të gjitha këto e bëjnë një tersi. Femrat janë emocionalisht me të ndjeshme dhe më lehtë i manifestojnë. Meshkujt duan me tregu atë burrërinë e vet e me u përmbajt”.

“Sa më gjatë përmbahet ai ankth akumulohet dhe mandej shpërthen shumë me pasoja më të mëdha se tek femrat”, tha Rexhepi, teksa shtoi se dhuna po lë pasoja tek gjeneratat e reja dhe fëmijët.

Madje ai e konsideron se në Qendrat e Mjekësisë Familjare duhet të angazhohen psikologë për të gjitha kategoritë në mënyrë që të parandalohet dhuna.

“QKMF-të është dashur me angazhu një numër më të madh të psikologëve të cilët do të punonin në këshillimin e popullatës të moshës shkollore, parashkollore por edhe të rritur. Humbja e durimit po manifestohet edhe me konflikte shumë të mëdha. Nuk janë konflikte vetëm dhuna e burrave ndaj grave. Është e theksuar mjaft edhe dhuna e grave ndaj burrave, edhe ndaj fëmijëve, ndaj pleqve, gjitha këto janë dhuna”.

“Nuk duhet gjithmonë me qenë dhuna fizike për me pas një pasojë, për shkak se dhuna psikologjike është edhe më e rëndë dhe zgjat. Dhuna është dhunë, si ndaj grave si ndaj burrave. Shpeshherë kufiri i perceptimit cenon një të drejtë. Dhuna në përgjithësi është pasojë e mungesës së mënyrës së mirëkuptimit”, theksoi neuropsikiatri Sami Rexhepi.