Policia konfirmon rastin e dhunës në Spitalin e Gjakovës, thotë se gruaja ka probleme mendore

Policia konfirmon rastin e dhunës në Spitalin e Gjakovës, thotë se gruaja ka probleme mendore

Kronika January 20, 2022 - 15:56

Policia e Kosovës ka konfirmuar se një rast i dhunës ka ndodhur në Spitalin e Gjakovës, teksa bën të ditur se gruaja, e cila ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortit të saj, ka probleme mendore.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Nysret Gjurkaj, konfirmoi për Telegrafin se rasti ka ndodhur më 14 janar.

“Më 14.01.2022, rreth orës 03:00, e dyshuara kishte sulmuar fizikisht viktimën (burrin e saj), i cili është pjesërisht i palëvizshëm. Rasti ka ndodhur në Repartin e Neurologjisë në spitalin ‘Isa Grezda’ – Gjakovë. Viktima ka pësuar lëndime trupore. Viktimës i është ofruar ndihma mjekësore, si dhe mbrojtësi i viktimave është njoftuar për rastin e ndodhur, po ashtu prezent ka qenë dhe punëtori i qendrës sociale”, tha ai.

Gjurkaj sqaroi se Policia ka ndaluar gruan e dyshuar dhe se e njëjta është hospitalizuar në Repartin e Psikiatrisë.

“E dyshuara (bashkëshortja) është shoqëruar në Stacionin Policor, është intervistuar dhe në konsultim me prokurorin kujdestar e njëjta mbahet në ndalim policor, por për shkak të gjendjes se saj mendore, me udhëzim te mjekut psikiatër, e njëjta është hospitalizuar në Repartin e Psikiatrisë nën shoqërimin e zyrtarëve policorë”, shtoi ai.

Më tej, Gjurkaj bëri të ditur se Policia për rast është njoftuar përmes një videoincizimi që është pranuar nga adresa elektronike në adresën policore. /Telegrafi