Policia tregon në detaje se si ndodhi vrasja në Pejë

Policia tregon në detaje se si ndodhi vrasja në Pejë

Kronika January 21, 2022 - 08:51

Një ngjarje tragjike ka ndodhur ditën e enjte në qytetin e Pejës, ku pas një përleshjeje mes tre personave, një 27-vjeçar ka humbur jetën.

Rasti ka ndodhur në lagjen “Fidanishte”, në Pejë, rreth orës 14:45.

Policia kishte konfirmuar se në përleshje janë përdorur mjete të mprehta (thika).

“Rreth orës 14:45 Policia ka pranuar informatën për një përleshje në mes të dy personave. Gjatë përleshjes janë përdorur edhe mjetet të mprehta, dyshohet që thikë. Si pasojë dy personat e përfshirë në këtë përleshje kanë pësuar lëndime dhe janë duke u trajtuar në spital dhe njëri prej tyre ka lëndime më të rënda”, kishte konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

Pak orë pas përleshjes njëri nga të lënduarit ka vdekur në spitalin që ishte duke u trajtuar.

“Sot, më 20.01.2022, në orën 14:45, Policia është njoftuar për një rast të përleshjes në mes disa personave, që kishte ndodhur në rrugën ‘Konferenca e Bujanit’ në Pejë. Patrullat policore i janë përgjigjur menjëherë këtij njoftimi, duke reaguar me të shpejtë në vendin e ngjarjes. Nga informatat e siguruara është kuptuar se në këtë përleshje ishin përfshirë tre persona: E.M., (viti i lindjes 1995, mashkull kosovar) kishte marrë plagë (dyshohet nga një mjet i mbrehtë - thikë) dhe është dërguar për tretman mjekësor në Spitalin Rajonal Pejë. Si pasojë e plagëve të marra, sipas mjekëve, E.M. ka ndërruar jetë”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, lidhur me rastin Policia ka arrestuar të dyshuarin K.S., (viti i lindjes 1998, mashkull kosovar), i cili po ashtu ishte i lënduar dhe është dërguar për tretman mjekësor. Policia po ashtu ka arrestuar edhe të dyshuarin e dytë që është i përfshirë në këtë rast: L.M., (viti i lindjes 1988, mashkull kosovar).

Rasti është duke u trajtuar nga organet përgjegjëse.